Curry nuk mjafton, Grizzlies eliminojnë Warriors
Ekipi i Memphis Grizzlies eliminoi “franchise”-n e tretë më të suksesshëm në historinë e NBA-s, teksa ia doli për të mposhtur brenda në Kaliforni skuadrën e Golden State Warriors. Një ndeshje vërtet e madhe që reflekton në mënyrën më të mirë të mundshme atmosferën që përcjellin sfidat e mëdha me eliminim të drejtpërdrejtë, në kampionatin më spektakolar në planet. Një kualifikim plotësisht i merituar për ekipin nga Tennessee, që arriti të thyejë skuadrën e drejtuar nga trajneri i mirënjohur Steve Kerr brenda në San Francisco. Një triumf i jashtëzakonshëm për Grizzlies, që u regjistrua pas kohës shtesë dhe për më tepër jashtë fushës së tyre.
Siç dihet, Warriors kanë marrë pjesë në pesë finale radhazi në gjashtë edicionet e fundit të NBA-s, duke u kurorëzuar tri herë me trofeun Larry O’Brien, por këto janë kohë vërtet shumë të vështira për skuadrën dhe tifozët e tyre. Pasi u mund në serinë e finaleve në vitin 2019 nga Toronto Raptors, ku Golden State humbi yllin e skuadrës Kevin Durant, për një dëmtim të rëndë në tendinën e akilit, “franchise” i mirënjohur kalifornian la Oaklandin për t’u zhvendosur në San Francisco, megjithatë që nga ajo kohë ekipi ka vuajtur ndjeshëm për shkak të ndryshimeve të mëdha dhe problemeve të shumta që shkaktuan dëmtimet e lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Sezonin e kaluar Warriors nuk u kualifikuan fare për në fazën përmbyllëse të “play off”-it, ndërsa këtë here, pas shumë e shumë mundimeve ekipi ia doli për të mbyllur sezonin e rregullt në vendin e katërt në Divizionin e Paqësorit, me bilancin 39 fitore e 33 humbje. Me një bilanc të tillë skuadra e Steve Kerr u përplas herët pikërisht me kampionët në fuqi dhe në “Staples Center” ekipi i Los Angeles Lakers fitoi ngushtë 103-100, me një kosh përcaktues të realizuar nga “periferia” nga ylli i “liqenorëve” LeBron James.
Në krahun tjetër Grizzlies e përfunduan sezonin e rregullt në Divizionin e Jugperëndimit në pozicionin e dytë, me 38 fitore e 34 humbje dhe ekipi i drejtuar nga trajneri Taylor Jenkins mundi në “FedExForum” 100-96 skuadrën e San Antonio Spurs. Sipas rregullores së re, Golden State pati edhe një mundësi të dytë, pikërisht në përballjen e fundit, të ashtuquajtur “play-in”, në Konferencën e Perëndimit, në një takim të drejtpërdrejtë me Memphis Grizzlies, duke pasur madje edhe favorin e faktorit fushë. Në “Chase Center” të San Franciscos, përpara 7.505 spektatorëve dy ekipet u ndeshën për herë të katërt në këtë sezon, me vendasit që kryesonin bilancin, falë dy fitoreve në tri sfidat ndërmjet tyre.
Si për ironi të fatit, dy skuadrat ishin përballur vetëm 6 ditë para këtij dueli, në takimin përmbyllës të sezonit të rregullt, ndeshje që u fitua nga Warriors me shifrat 113-101. Këtë here, basketbollistët e ekipit nga Tennessee udhëhoqën pothuajse gjatë gjithë kohës nga fillimi në fund dhe përjashtim në rezultat bëjnë vetëm avantazhet e periodës hapëse 2-0, 4-3 dhe 27-26.
Në 12’ e dytë miqtë “fluturuan” në epërsinë e 17 pikëve, 59-42, ndërsa në interval dy skuadrat shkuan me avantazhin e Grizzlies 62-49. Vendasit të përkrahur edhe nga publiku i tyre i zjarrtë reaguan dhe ngushtuan diferencën në 78-73 në fundin e periodës së tretë, sidoqoftë në 12’ përmbyllës ekipi nga Memphis u shkëput sërish, për të shkuar deri në +10, 95-85.
Skuadra e Steve Kerr përmirësoi ndjeshëm mbrojtjen, falë rezultatit të pjesshëm 12-2, për të barazuar rezultatin në shifrat 97-97, ndërsa në fund pikërisht në sirenë Draymond Green u bllokua nga mbrojtësit kundërshtarë, duke shpërdoruar kështu edhe mundësinë për të fituar takimin. Me shifrat 99-99 dy ekipet shkuan në kohën shtesë dhe në overtime miqtë përsëri dominuan në rezultat.
I vetmi moment kur Warriors e panë veten përpara ishte 1’50” para fundit, kur Golden State mori kryesimin 109-107, gjithsesi 21-vjeçari nga Karolina e Jugut. Ja Morant, ishte thjesht i papërmbajtshëm dhe udhëhoqi ekipin e tij drejt një suksesi vërtet të jashtëzakonshëm me shifrat 117-112. Basketbollisti me mesataren më të lartë përgjatë edicionit të rregullt, 32 pikë për ndeshje, i shpallur dy herë si MVP në vitet 2015 e 2016, 33-vjeçari nga Akroni i Ohios, Steph Curry, e mbylli mbrëmjen me plot 39 pikë, në diçka më shumë se 47’, ndërsa Morant shkëlqeu për Grizzlies me 35 pikë, 6 topa të rekuperuar dhe 6 asistime në afërsisht 46’ që qëndroi gjithsej në parket.
Memphisi hyn me numrin 8 në shortin kryesor në Konferencën e Perëndimit, ku do të përballet me ekipin më të mirë në sezonin e rregullt, Utah Jazz, që e përfundoi sezonin e rregullt me 52 fitore e vetëm 20 humbje. /SS/