Curry vendos fitoren e Golden State
Kampionët e Golden State fituan 1127-123 ndaj Sacramento, në fushën e këtij të fundit, ndeshje me rivalitet dhe emocione, ku vendimtar ishte Stephen Curry, autor i 42 pikëve, më i miri në fushë. Mirë u paraqitën edhe Durant me 29 pikë e Thompson me 20, një trio që bëri diferencën.
Për Sacramento u dalluan Hield me 32 pikë e Jackson me 28, por që mbetën për statistikë. Pa problem fiton skuadra e San Antonio, që mundi 108-88 Memphis, sfidë e dominuar nga basketbollistët e Spurs, me White që realizoi 19 pikë e Aldridge 18. Vijon sezoni zhgënjyes i nën-kampionëve të NBA-së, Cleveland, që u mundën 133-98 nga New Orleans, ndeshje ku Holiday e Randle realizuan nga 22 pikë për miqtë. Një fitore të rëndësishme jashtë fushe korri skuadra e Torontos, që mundi 123-116 Milwaukee, dy skuadra pretendente për titull në Konferencën e Lindjes.
Vendasit patën epërsi në pjesën e parë, ku u dallua Antetokounmpo, autor i 43 pikëve e 18 rebound, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen. Loja e mirë kolektive e skuadrës kanadeze ishte çelësi i fitores për Toronto, ku Leonard e Siakam realizuan nga 30 pikë, ndërsa Ibaka 25, raporton “Telesport”. Denveri ruan kreun e renditjes në Konferencën e Perëndimit, pas fitores 123-110 ndaj Charlotte, sfidë ku u dallua Jokiq, autor i 39 pikëve e 12 rebound. Fitore të rëndësishme për renditje korri skuadra e Philadelphia, që mposhti 106-100 Dallasin, me Embiid që realizoi 25 pikë e 12 rebound, ndërsa Utah jazz mundi 110-105 Detroit jashtë fushe falë përmbysjes në minutat e fundit (Mitchell 26 pikë).
Rezultatet
Denver – Charlotte 123-110
Detroit – Utah Jazz 105-110
Philadelphia – Dallas 106-100
Cleveland – New Orleans 98-133
Milwaukee – Toronto 116-123
San Antonio – Memphis 108-88
Portland – Houston 110-101
Sacramento – Golden State 123-127