D+: Institucionet po kontraktojnë ekspertë, konsulentë dhe këshilltarë për punë të zakonshme administrative
Organizata joqeveritare Demokraci Plus (D+) ka publikuar raportin “Keqpërdorimi i marrëveshjeve për shërbime të veçanta në nivelin qendror”, duke hulumtuar aktivitete të prokurimit në qeveri, ku bie në sy një metodë që po përdoret nga institucionet për të angazhuar njerëz të rinj për të kryer punë të përditshme administrative.
Në një reagim publik, D+ ka kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) që “të mos përdorë marrëveshjet për shërbime të veçanta (MShV) për vazhdim të kontratave të punës për ekspert/konsulent në pozita që duhet të plotësohen me staf të rregullt përmes procedurës së rregullt të rekrutimit”.
Edhe më herët, D+ ka thënë se kjo ministri “kontraktoi të njëjtin konsulent për kryerjen e punëve të përditshme administrative”.
“Nga viti 2021 deri në vitin 2024, MFPT ka zhvilluar pesë aktivitete të prokurimit, në katër raste ka shpërblyer të njëjtin konsulent. Tre nga pesë aktivitetet e zhvilluara kishin për qëllim kryerjen e punëve që janë përgjegjësi e Departamentit të Tatimit në Pronë, si: dhënia e sqarimeve komunave të cilat kanë paqartësi lidhur me tatimin në pronë, përgatitja e listës me të dhëna mbi detyrimet e komunave, bashkëpunimin me Zyrat e Tatimit në Pronë nëpër komuna, etj. Ndërsa, përmes dy aktiviteteve të tjera ishin paraparë të kryhen punë që janë përgjegjësi dhe obligim i Departamentit për Vlerësimin e Pronave të Paluajtëshme, si: vlerësimi i pronave të paluajtëshme me qëllim tatimi, përdorimin e sistemit të TI-së në lidhje me procesin e vlerësimit të pronave, përgatitjen e raporteve lidhur me procedurën e shpronësimit dhe këmbimit të pronave, etj.”, është thënë në raportin e D+.
D+ ka monitoruar këto kontrata dhe në vitin 2023, të evidentuara në raportin “Keqpërdorimi i marrëveshjeve për shërbime të veçanta në nivelin qendror’’.
Kontraktimet e tilla, D+ ka thënë se “duhet të ndalen sepse dëmtojnë konkurrencën e lirë, krijojnë mundësi për favorizime, krijojnë pozita paralele brenda institucionit dhe dekurajojnë stafin e rregullt sepse konsulentët kanë kompensime më të larta mujore për përgjegjësitë dhe detyrat e njëjta”.
Çfarë konstatoi raporti i D+?
Demokraci Plus (D+) ka konstatuar se institucionet po i plotësojnë pozitat e lira brenda institucionit duke përdorë marrëveshjet për shërbime të veçanta dhe jo procedurat e rregullta të rekrutimit.
“Për kontraktimin e ekspertëve/konsulentëve/këshilltarëve, institucionet në dosje të tenderit paraqesin kërkesa minimale për kualifikime dhe përvojë të punës, që dëshmon se qëllimi nuk është kontraktimi i ekspertit për ofrimin e ekspertizës por më shumë si vend pune për punë të zakonshme administrative”, është thënë në raportin e D+.