D4D-ja lanson punimin “Demokracia e Kosovës në rrezik?”
Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka lansuar të enjten punimin me temën: “Demokracia e Kosovës në rrezik?”, nga i cili kanë dalë disa rekomandime për partitë politike.
Sipas njoftimit të këtij instituti, autori i këtij punimi, Besnik Pula, ka trajtuar tri fusha shqetësuese për zhvillimin demokratik të Kosovës: stabilitetin dhe kohëzgjatjen e qeverive, paqëndrueshmërinë zgjedhore dhe kohëzgjatjen e proceseve, përfshirë negocimin dhe formimin e koalicioneve qeverisëse pas zgjedhjeve.
“Deri më tani, qeveritë e Kosovës kanë qenë jetëshkurtra, kësisoj që nga shpallja e pavarësisë, duke mos përfunduar asnjë herë mandatin deri në fund, por duke shkuar në zgjedhje të parakohshme. Studimi tërheq vëmendjen edhe në nevojën për më shumë kapacitete politikëbërëse brenda partive politike për t’i orientuar negociatat mbi formimin e koalicionit drejt qëllimeve programore dhe drejtimeve të politikave, për dallim nga ndarja e plaçkës së pushtetit politik, siç ka qenë trendi në vitet e fundit”, është thënë në njoftimin e D4D-së.
Pjesë e panelit të lansimit të punimit ishin edhe Arben Qirezi, Jehona Lushaku dhe Naim Rashiti, me moderim të Krenar Gashit.
Panelistët kanë analizuar dhe komentuar punimin nga këndvështrimi i tyre, me ç‘rast është theksuar se korniza ligjore dhe kushtetuese e bëjnë sistemin totalisht jofunksional dhe sjellin kriza institucionale në Kosovë.
Rekomandimet e dala nga punimi “Demokracia e Kosovës në rrezik?”:
-Partitë në Kosovë duhet të jenë më të vetëdijshme për nevojën e respektimit të normave elementare demokratike gjatë proceseve të ndjeshme të transformimit të pushtetit pas zgjedhjeve.
-Një pjesë e problemit në pazaret/bisedimet mbi koalicionet pas zgjedhjeve është tendenca e fokusimit në ndarjen e plaçkës politike, përfshirë këtu postet politike të nivelit të lartë, zgjerimin artificial të tyre në mënyrë që të kënaqen fraksionet e ndryshme dhe elektoratet klienteliste.
-Akterët politikë duhet ta shfrytëzojnë kohën në opozitë më shumë që t’i drejtojnë organizatat e tyre politike kah ndërtimi i programeve dhe politikave strategjike afatgjata, se sa të mendojnë se këto aspekte shumë të rëndësishme të politikës mund të lihen në dorë të fatit e improvizimit dhe të konsiderohen të rëndësishme vetëm pasi partia të ketë hyrë në qeveri.
Linku i plotë i këtij punimi: http://d4d-ks.org/wp-content/uploads/2018/05/D4D_Elections_11_SHQ_WEB.pdf
/Epoka e re/