Dabiqaj: Do të angazhohemi maksimalisht për t’i arritur objektivat

03 shkurt 2022 | 16:51

Futbolli në Kosovë rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e Kupës së Kosovës në futboll. Ekipet tashmë veçse i kanë mbushur “bateritë” për stinorin pranveror.

Sport Club “Gjilani” është një ndër skuadrat e cila ka qëndruar në Antalia të Turqisë ku ka kryer fazën përgatitore. Gjithashtu, “kuqebardhët” para se të udhëtonin drejt Turqisë kanë qenë për dhjetë ditë edhe në qytetin bregdetar të Durrësit.

Gazeta “Enigma” e ka kontaktuar njërin ndër mesfushorët më të mirë në Kosovë, Albert Dabiqajn, i cili ka folur për atmosferën në klub dhe fazën përgatitore.

“Atmosfera është shumë e mirë dhe e presim më shumë pozitivitet fillimin e stinorit pranveror”, ka thënë Dabiqaj. Sipas numrit 14 të Gjilanit, faza përgatitore ka qenë shumë e suksesshme pasi që edhe nuk ka pasur lëndime të futbollistëve. “Kemi bërë një fazë përgatitore shumë të mirë në të dy vendet, Durrës të Shqipërisë dhe Antalia të Turqisë. Në Antalia kem pasur disa ndeshje kontrolluese me ekipe shumë cilësore dhe jemi paraqitur shumë mirë. Rëndësi të madhe ka qe nuk kemi pësuar lëndime”, ka shtuar mesfushori i Gjilanit.

Futbollisti 25-vjeçar ka pasur një gjysmësezon të mrekullueshëm me gjilanasit, ku në 16 ndeshje ka arritur t’i realizojë katër gola dhe duke dhuruar një asistim. “Në përgjithësi kam kaluar një gjysmësezon shumë të mirë, por ajo mbetet në të kaluarën dhe se tani fillon stinori pranveror dhe fokusi i gjithë grupit është këtu”, ka deklaruar mesfushori. Për fund Dabiqaj ka edhe një mesazh për tifozët e flaktë, “Skifterat”, të cilët po e përkrahin klubin vazhdimisht. “Tifozëve tanë u premtoj angazhim maksimal si gjithmonë drejt objektivave të klubit”, ka përfunduar Dabiqaj. SC Gjilani është shpallur kampion vjeshtor dhe tashmë do të luftojë deri në fund të sezonit për t’u shpallur kampion për herë të parë në histori të klubit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Big Brother VIP momentalisht është një nga programet televizive që…