Dabiqaj: Refuzova Skënderbeun për Feronikelin
Albert Dabiqaj kishte refuzuar skuadrën e Skënderbeut, për të kaluar tek ekipi i Feronikelit.
Dabiqaj, i cili akoma luan tek skuadra e Feronikelit, ekskluzivisht për rrëfimet e karantinës ka zbuluar se si kishte refuzuar klubin e Skënderbeut, për të firmosur me ekipin e Feronikelit.
Ai thotë që pasi fitoi Kupën e Kosovës në futboll me klubin e Besës kishte disa oferta, ndërsa ajo që e joshte më së shumti ishte marrëveshja me Skënderbeun.
“Pasi jemi shpall fitues të Kupës së Kosovës me Besën kam pas mundësi të zgjedh disa oferta, por klubi që doja ishte Skënderbeu. Parimisht isha lojtar i Skënderbeut”, ka thënë fillimisht Dabiqaj.
Megjithatë, Dabiqaj potencon se në momentet e fundit ka ndërruar mendje, pasi kishte vendosur të vazhdonte karrierën në Kosovë, tek klubi i Feronikelit.
“Ndodhën disa gjëra me shpejtësi dhe vendosa të transferohem tek Feronikeli. Ky është pengu i karrierës time, por duhet të theksojë se doli që kisha të drejtë dhe për këtë jam falënderues ndaj klubit aktual, pasi ndihem mjaft mirë këtu”, përfundoi Dabiqaj. Vlen të theksohet se Albert Dabiqaj është një nga lojtarët kyç të skuadrës së Feronikelit.