Dabiqaj, ‘Ylli i javës’ në Superligë
Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 14-të në elitë i është ndarë futbollistit të FC Drita, Albert Dabiqaj.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit në përbërje të Shyqeri Salihu, Bujar Asllani, Fatmir Mehmeti. Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i javës” për xhiron e katërmbëdhjetë t’i takojë Albert Dabiqaj, i cili, përveç se shënoi het-trik në ndeshjen kundër KF Llapit, ishte njeriu më meritor i përmbysjes së rezultatit (3-1), duke i mundësuar ekipit të tij tri pikë të reja në krye të tabelës.
“Kishim një ndeshje mjaft të vështirë, me Llapin u kthyem nga disavantazhi në 3-1. Të kthesh rezultatin nuk është aspak e lehtë. Personalisht, si Dabiqaj, ky ishte het-triku i parë në karrierën time në Superligë dhe ky është një moment i jashtëzakonshëm. Jam i lumtur me ecurinë e skuadrës dhe duhet të vazhdojmë kështu. Në xhiron e ardhshme shkojmë tek kampioni në fuqi, FC Ballkani, që është një skuadër e jashtëzakonshme dhe ka një ecuri si vendas të pamposhtur, por ne do të shkojmë ta luajmë lojën tonë. Falënderoj bashkëlojtarët, stafin e trajnerëve, sepse pa ta nuk do të kaloja në këtë formë”, ka thënë Dabiqaj për faqen zyrtare të FFK-së.