Daci thotë se është herët që VV e LDK të diskutojnë për postin e presidentit
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci, ka thënë se është herët që Vetëvendosje e LDK-ja të diskutojnë për postin e presidentit, në kohën kur po negociohet për formimin e qeverisë.
Në një intervistë për Rubikon të KTV-së, Daci ka thënë se vonesa e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit është zhgënjyese. Ka thënë se në zgjedhjet e 6 tetorit pritjet ishin shumë të mëdha, por vonesat, sipas tij, po i zbehin pritshmëritë.
“Vërtetë pritshmëritë kanë qenë dhe janë shumë të mëdha ndërsa përgjigjja dhe përgjegjësia e institucioneve nuk është e duhur. Sugjeroj që partitë që i kanë fituar me meritë zgjedhjet, do të duhej ta kenë parasysh interesin e popullatës, kohën, e që në këtë rast po përfiton e keqja më e madhe e Kosovës, Serbia”, ka thënë ai.
“Mendoj që është shumë e hershme dhe e ulë vlerën e institucionit të presidentit, që nuk e mohoj atë të drejtë sepse koalicioni në kohën e duhur e bën propozimin e zgjedhjen”, ka thënë ai. “Kjo, për perceptimin tim, vetëm e shton nervozën. Veçse ka reagime të ndryshme. Nuk shoh nevojë për një nguti të tillë. Nuk them që të shkohet pa dakordim, por të mos jetë rend dite sepse ajo e rrit tensionin, ose mund të mos vijë te dakordimi. Gjatë funksionimit të qeverisë së re e parlamentit, kur t’i vijë momenti është e drejtë legjitime e LDK-së e koalicionit që të propozojnë apo zgjedhin”.