Daci tregon përplasjen me amerikanët për Haradinajn kryeministër në vitin 2004
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci, ka treguar për përplasjen që kishte pasur me amerikanët që, sipas tij, refuzonin që Ramush Haradinaj të bëhej kryeministër në vitin 2004.
Në rrëfimin e tij në Rubikon të KTV-së, Daci ka thënë se në një takim përfaqësuesit amerikanë i kishin thënë se Haradinaj s’bën të jetë kryeministër sepse do të shkojë në Hagë për t’u përballur me drejtësinë.
“Ai që e udhëhiqte delegacionin doli menjëherë me atë që ti po do me zgjedh kryeministër filan fistekun dhe nuk mundesh me zgjedh. Unë qesha dhe thashë qysh mundem unë me zgjedh kryeministrin, jam kryetar i parlamentit, president është Ibrahim Rugova dhe ai e nominon dikë dhe Kuvendi e voton. Ata thanë se e dinë mirë kush e zgjedh, e tha se Ramush Haradinaj nuk mund të bëhet kryemistër sepse ka për të shkuar në Hagë”, ka shpjeguar fillimisht Daci.
Daci më pas ka thënë se në anglisht i ishte drejtuar ndërkombëtarëve dhe me “inat e nervozizëm”.
“Më nxorën inatin, nervozen e të gjitha. I thashë, zotëri a mundeni ju në anglishten time të varfër të më kuptoni, ‘Ramush Haradinaj will be our prime minister’ (Ramush Haradinaj do të jetë kryeministri jonë. S’ishte bash anglishte që s’e kuptonin. Përsëriti se do të shkojë në Hagë, e i thash ani le të shkojë si kryeministër”.
Daci ka shtuar se pas këtij diskutimi kishte shkuar te presidenti Ibrahim Rugova me porosinë që Haradinaj duhet të jetë kryeministër.
“Pastaj kam shkuar te presidenti me kërkesë të Ramushit. Dhe i thash këtë duhet ta pranojmë koalicionin me AAK-në me kryeministër Ramush Haradinajn. Ai tha ngadalë o profë se partia do me ma humbë krytë. I thashë, o president, tani i thashë o Ibro, nëse të premten nuk shpallet koalicioni me emër Ramush Haradinaj, unë do të tërhiqem prej Parlamenti sepse nuk mundet institucionet e reja t’i krijojë askush nga jashtë Kosovës ose unë nuk jam më në atë institucion”, ka deklaruar Daci t’i ketë thënë Rugovës.