Daci: Vendimi për taksën është revolucionar, por duhet të merren sugjerime nga ShBA-të
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Nexhat Daci e quan revolucionar vendimin e Qeverisë për taksë 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, por sipas tij, kohëzgjatja e këtij vendimi pastaj është politike.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, i ka thënë KosovaPress-it se udhëheqësit shtetëror me shumë seriozitet, duhet të marrin gjithmonë një sugjerim nga amerikanët.
Nexhat Daci thotë se taksa ka arritur 100 përqind efektet pamore politike. Sipas tij, udhëheqësit shtetëror duhet të analizojnë se a është e dobishme të vazhdohet me këtë formë.
“Vendimi ka qenë revolucionar dhe mendoj shumë i arsyeshëm sepse më duhet të them që për herë të parë, edhe si kryetar i Akademisë, edhe kryetar i Parlamentit, e kam ndjerë vetën krenarë për Kosovën. Në kohën e duhur, një vendim i duhur. Kohëzgjatja e asaj, është çështje krejtësisht politike, që unë mendoj e ka arrit 100 përqind efektet pamore politike, dhe tani varet prej shtetit të Kosovës, prej udhëheqësve të Kosovës, prej kryeministrit, kryetarit të Parlamentit, presidentit, që ta analizojnë a është e dobishme në këtë formë të vazhdojë dhe i mbetët atyre ta vendosin”, thotë ai.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, thotë se udhëheqësit shtetëror duhet gjithmonë të marrin një sugjerim amerikan.
“Të gjithë e dimë kush është faktori kryesor në çlirimin e Kosovës, kryesor, sepse ka pas kontribute të mëdha edhe vendore. Nuk jam i bindur që kam informacione të mjaftueshme që vërtetë në takime me ambasadorin amerikan nuk ka pas asgjë. Po të kisha argumente të tilla që po sillemi jo përgjegjshëm ndaj propozimit amerikan do ta thoja. Por në mungesë të informacionit valid është më mirë me thënë që udhëheqësit shtetëror me seriozitet shumë të madh gjithmonë duhet të marrin një sugjerim amerikan”, thotë Daci.