Daçiq nuk sheh ndonjë arsye që Vuçiq të takohet me Kurtin

19 nëntor 2022 | 20:35

Nuk duhet të lejojmë që populli serb të jetë viktimë e lëvizjeve të njëanshme të autoriteteve të Prishtinës, ka thënë të shtunën ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq në samitin e Frankofonisë, i cili po mbahet në ishullin Djerba të Tunizisë.

Duke komentuar ftesën e shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për një takim urgjent në Bruksel, drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Daçiqi ka thënë se ftesa nuk ishte befasi, raporton RTS.

“Borrell tha se do të përpiqet të arrijë një zgjidhje kompromisi dhe gjithçka rrotullohet rreth asaj date, 21 nëntor. Mendoj se përpjekja e Borrellit është e justifikuar, por nuk shoh arsye që presidenti serb të marrë pjesë në takim. Është e nevojshme që Kurti t’i drejtohet arsyes dhe njohjes së ligjit, sepse ai është burimi kryesor i të gjitha paqëndrueshmërisë dhe incidenteve të mundshme”, ka thënë Daçiq.

Serbia, theksoi Daçiq, ka dëshmuar shumë herë se është në favor të dialogut dhe vazhdimit të negociatave dhe shtoi se populli serb nuk mund të lejohet më të jetë viktimë e lëvizjeve të njëanshme dhe, siç tha ai, të një lloj mashtrimi, kur bëhet fjalë për Marrëveshjen e Brukselit.

Daçiqi thotë se Prishtina po sillet sikur nuk ekziston Marrëveshja e Brukselit dhe se nuk mund të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, për të cilën, thotë ai, Kurti ka folur disa herë. Shefi i diplomacisë serbe shtoi se shpreson që të mos ketë incidente, të cilat, siç theksoi, duhet t’i sigurojë BE-ja, së bashku me misionin e KFOR-it dhe EULEX-it, të cilët janë garantues të Marrëveshjes së Brukselit.

“Është e nevojshme që dikush t’i drejtohet arsyes, për të parandaluar çdo incident dhe shkëndijë të mundshme që mund të ndezë të gjithë rajonin. Kjo do të thotë se është e nevojshme të shtyhet vendimi për targat dhe më pas të fillohet një dialog politik. Dhe më së shumti, e rëndësishme nga të gjitha është formimi i Asociacionit”, ka thënë Daçiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 5 dhjetor në shtëpinë unike të Big Brother VIP…