Daçiq: Raportet Serbi-Mal i Zi janë shumë të këqija

14 janar 2020 | 09:44

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se marrëdhëniet midis Beogradit dhe Podgoricës janë shumë të këqija për shkak të miratimit të ligjit malazez për lirinë e fesë duke shtuar se kushdo që e pranon këtë ligj në Serbi e “tradhton vendin e tij”.

“Ai që e toleron këtë ligj, e tradhton vendin e tij, por problemi është se këtu bëhet fjalë për qarqe interesi”, tha Daçiq për Radio-Televizionin e Vojvodinës, transmeton Rel.

Ai hodhi poshtë akuzat e një grupi intelektualësh nga ish-Jugosllavia, të cilët, përmes një apeli, thanë se Beogradi po kërcënonte paqen dhe stabilitetin “në Malin e Zi dhe rajon”. Në këtë apel i kërkohet komunitetit ndërkombëtar të dënojë fushatat politike, të kishës dhe mediave në Serbi.

“Asnjëherë nuk kemi thënë që duam që Mali i Zi të jetë i bashkuar me Serbinë, e as nuk kemi miratuar ndonjë akt që do të kishte ndonjë lidhje me marrëdhëniet e brendshme në Mal të Zi. Malazezët vazhdimisht pretendojnë se Serbia kinse dëshiron të jetë përsëri në të njëjtin shtet me Malin e Zi. Jo se ne nuk duam, por është një histori e mbaruar”, tha Daçiq.

Ai deklaroi se Serbia ka shprehur pakënaqësinë e saj për miratimin e ligjit, për të cilin beson se ishte drejtuar kundër popullit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe, dhe u kërkoi autoriteteve malazeze që të zgjidhin problemin në paqe dhe dialog.

Mali i Zi miratoi Ligjin për Lirinë e Fesë, më 27 dhjetor 2019.

Ligji kundërshtohet fuqishëm nga Kisha Ortodokse Serbe, zyrtarë dhe një pjesë e opozitës në Serbi.

Ajo që është e diskutueshme, është formulimi në ligj sipas të cilit “të gjitha objektet fetare që ishin pronë e shtetit të Malit të Zi, para humbjes së pavarësisë së tij më 1918, dhe që më vonë nuk u bë pronë legale e një komuniteti fetar, do të njihen si pronë e shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurorët turq urdhëruan arrestimin e 176 ushtarëve, për lidhje të…