Daçiqi: Çështja e Kosovës nuk ka përfunduar ende
24 qershor 2018
| 18:24
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i ka cilësuar si të vështira bisedimet në mes të Serbisë dhe Kosovës.
Në një prononcim për medie në Bruksel, Daçiqi ka pohuar se delegacioni nga Kosova duhet ta ketë të qartë se çështja e Kosovës nuk ka përfunduar.
“Prishtina duhet ta dijë se çështja e Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht. Do të shohim çfarë mund të shpejtojmë”, ka thënë Daçiqi.
Daçiqi ka deklaruar se janë të gatshëm për kompromis, por sipas tij një gjë e tillë megjithatë do të jetë shumë e vështirë.
“Qëndrimet janë të kundërta. Palët e kuptojnë rëndësinë e vazhdimit të negociatave dhe të gjejnë një zgjidhje afatgjate. Ne jemi për kompromis, por kompromisi është i vështirë”, ka deklaruar Daçiqi.