Daçiqi dhe Vulini imunizohen me vaksinën ruse
Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, kanë marrë vaksinën ruse kundër koronavirusit – “Sputnik V”, në Institutin e Virologjisë Torlak në Beograd, ka njoftuar qeveria serbe.
Siç është thënë, vaksinën ruse e kanë marrë edhe një sërë zyrtarësh tjerë serbë, përfshirë Marija Gnjatoviq, nga Instituti për Energjinë Bërthamore, Dragana Despot, drejtoreshë e Institutit për Biocide dhe Ekologji Mjekësore dhe Mirsad Gjerlek, sekretar i Shtetit në ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë.
“Të gjithë jemi mirë. Do të marrim dozën e dytë brenda tre javësh, por nuk kam dyshim se do të jemi mirë. Ne nuk kërkuam të bëjmë vaksinën, por iu përgjigjëm kërkesës së ekspertëve që zyrtarët më të lartë të tregojnë publikisht se nuk kanë frikë nga vaksinat”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Ivica Daçiq.
Ai ka deklaruar se ky veprim nuk ka motive politike dhe shtoi se është rënë dakord që udhëheqësit e lartë institucional të merrnin vaksinat nga prodhues të ndryshëm në mënyrë që të rrisin besimin e qytetarëve në vaksinimin kundër Covid-19.
“Ne do të ju informojmë nëse nuk jemi mirë, por nuk besoj se bash vaksina ruse do të na ‘godasë’”, u ka thënë Daçiqi gazetarëve.
Serbia mban lidhje të ngushta me Rusinë, por edhe me vendet perëndimore. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq është imunizuar me vaksinën e kompanive perëndimore, “Pfizer” dhe “BioNtech”.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Aleksandër Vulin, ka theksuar se vaksinimi kundër Covid-19 është falas.
“Unë besoj se vaksina është e mirë dhe se të gjithë duhet ta marrin atë. Doja të bëja një vaksinë ruse sepse besoj në mjekësinë ruse”, ka thënë Vulini.
Dorëzimi i parë i 2 400 dozave të vaksinave “Sputnik V” ka arritur në Serbi më 30 dhjetor.
Agjencia serbe për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore (ALIMS) ka njoftuar një ditë më vonë se importi ishte aprovuar dhe se ajo kishte përmbushur kushtet ligjore për përdorim.
Serbia dhe Bjellorusia janë vendet e para në kontinentin evropian që janë furnizuar me këtë vaksinë. Vaksina ruse ende nuk është miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) apo Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).
Vaksina amerikano-gjermane, “Pfizer” dhe “Biontech”, është e para që mori miratimin për përdorim në Serbi dhe imunizimi i popullatës filloi zyrtarisht më 24 dhjetor.
Siç ka njoftuar Qeveria e Serbisë më 6 janar, deri në fund të kësaj jave, planifikohet vaksinimi i 11 000 njerëzve.