Daçiqi: Dialogu me Prishtinën është në një fazë të rëndësishme
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë të mërkurën se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është në një fazë të rëndësishme dhe se duhet të shqyrtohen seriozisht të gjitha opsionet e ofruara.
Daçiq në një takim joformal në Banja Llukë të ministrave të Jashtëm të Procesit për Bashkëpunim të Evropës Juglindore, ka theksuar se Serbia ka treguar gatishmëri për kompromis dhe propozime konstruktive, në mënyrë që të arrihet deri te një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët, e qëndrueshme dhe afatgjate.
“Konsideroj se është e nevojshme të flitet hapur dhe të shqyrtohet seriozisht çdo opsion i ofruar, ku padyshim alternativa më e mirë është ajo me të cilën pajtohen të dyja palët në dialog. Mirëkuptimi dhe mbështetja e partnerëve tanë në këtë rrugë të sfidueshme mbeten shumë e rëndësishme”, ka thënë Daçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Po ashtu, Daçiq ka theksuar se “ritmi i anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, në masë të madhe, varet edhe nga dialogu i Beogradit me Prishtinën”.
Të premten në Bruksel, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, takohen për një raund të ri të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Ata kanë shpalosur edhe idenë për ndryshimin e kufijve si mundësi për zgjidhjen e problemeve.