Daçiqi e argëton Erdoganin me këngë

14 tetor 2024 | 08:23

Ivica Daçiq, nënkryetar i Qeverisë së Serbisë dhe ministër i Punëve të Brendshme, ka dalë edhe një herë para mikrofonit dhe ka kënduar para presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Në rrjetet sociale është shfaqur një video e Daçiqit duke kënduar këngën “Osman aga” në një drekë në Pallatin e Serbisë, të mbajtur për nder të presidentit turk.

Në një video amatore të shpërndarë në rrjetin social X, Daçiq shihet me mikrofon në shoqërinë e një orkestre, ndërsa në sfond në tryezën festive janë ulur anëtarët e Qeverisë Goran Vesiq, Zoran Gajiq dhe Usame Zukorliq. Tavolina në të cilën janë ulur mysafiri nga Turqia, Rexhep Tajip Erdogan dhe nikoqiri i tij, Aleksandar Vuçiq, shkruan Nova.rs, shihet vetëm shkurt në pamje.

Në komentet që shoqërojnë videon mund të lexohet se muzikantët që e shoqërojnë ministrin derisa ai këndon janë Stanislav Binicki nga orkestra ushtarake dhe se është e njëjta këngë që Daçiq i këndoi presidentit turk gjatë vizitës së tij në Beograd në vitin 2017.

Presidenti i Turqisë të enjten dhe të premten zhvilloi një vizitë zyrtare në Serbi, gjatë së cilës u nënshkruan disa marrëveshje dhe memorandume për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve.

Ivica Daçiq ka kënduar disa herë deri më tani në dreka apo darka të mbajtura për nder të disa shtetarëve të huaj gjatë vizitës së tyre në Serbi, kështu që performanca e tij konsiderohet si pjesë e detyrueshme e tubimeve joformale me zyrtarë të huaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një sulm me dronë i kryer nga Hezbollahu në një…