Daçiqi: Nuk është kompromis që Serbia ta njohë Kosovën në tërë territorin e saj
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se zgjidhja e kompromisit për çështjen e Kosovës nuk mund të nënkuptojë që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës në tërë territorin e saj.
“Për ne tani është e rëndësishme që të gjejmë një zgjidhje kompromisi. Kjo zgjidhje nuk mund të bëhet me detyrim, që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur në tërë territorin e saj. Ky nuk mund të jetë kompromis”, ka gjënë Daçiqi në një konferencë për media të hënën në Beograd, transmetojnë mediet serbe.
Ai ka thënë se Serbia nuk paraqet asnjë pengesë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, porse kërkon të hiqet taksa 100 për qind që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.
Dialogu midis palëve është ndërprerë prejse Kosova e ka marrë vendimin për këtë taksë në nëntor të vitit të kaluar.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se dialogu me Kosovën nuk mund të vazhdojë pa u hequr kjo taksë.
Idenë për ndryshimin e kufijve, si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve, e kanë përmendur më herët edhe udhëheqësit e Kosovës, edhe ata të Serbisë.
Javën e kaluar, u anulua një takim midis përfaqësuesve të të dyja vendeve, i planifikuar të mbahet më 1 korrik në Paris.
Takimi i paralajmëruar ka qenë nismë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.
Është e paqartë nëse ky takim do të mbahet në ndonjë datë të mëvonshme, ndërkohë që normalizimi i marrëdhënieve mbetet kusht si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian. /Rel/