Daçiqi pas dështimit të kërkesës ruse në OKB: Jemi të zhgënjyer
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia është e zhgënjyer sonte meqë Këshilli i Sigurimit në OKB refuzoi kërkesën e Rusisë për seancë të jashtëzakonshme kundër NATO-s për ndërhyrjen në Kosovë.
“Është penguar të dëgjohet e vërteta për agresionin e NATO-s ndaj Jugosllavisë në vitin 1999”, citon “Tanjug” Daçiqin në konferencë shtypi.
“Ne erdhëm këtu me ftesë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Besojmë se tema është jashtëzakonisht e rëndësishme për rendin juridik ndërkombëtar dhe se sot, ashtu siç u bë precedent bombardimi i Serbisë, u bë precedent gjatë një procedure votimi”, tha Daçiqi.
Megjithatë, ai i ka falënderuar Rusinë, Kinën dhe Algjerinë për mbështetjen e iniciativës për të diskutuar për bombardimin e Jugosllavisë në Këshillin e Sigurimit.