Daçiqi: Putini është pajtuar para pesë vjetësh për vënien e kufirit Kosovë-Serbi
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, para pesë vjetësh ka rënë dakord me idenë e vënies së kufirit mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë dhe Serbi.
“Para pesë vjetësh Putini është pajtuar me këtë propozim. Shumë herë, kam biseduar me Putinin edhe unë edhe Vuçiqi (presidenti serb Aleksandar Vuçiq)” ka thënë Daçiq.
Deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, pasojnë ato të ministrit serb të Teknologjisë dhe Inovacionit, Nenad Popoviq i cili kishte thënë se presidenti rus nuk pajtohet me idenë e vënies së kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Popoviq mesiguri është i informuar gabimisht që presidenti rus Vladimir Putin është kundër idesë së vënies së kufirit”, ka thënë Daçiq, raporton “rel”.
Më tej, ministri Jashtëm serb tha se deklaratat e tilla të kolegut të tij në qeveri janë “të dëmshme për Serbinë”.
Ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit të Serbisë, Nenad Popoviq, njihet për lidhjet e tij të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin.
Përplasja mes dy ministrave të kabinetit qeveritar serb, vjen disa ditë pasi ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq tha se përcaktimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është propozim zyrtar i Serbisë.