Daçiqi thotë se Egjipti po e mban të ‘ngrirë’ njohjen e Kosovës

12 dhjetor 2021 | 16:56

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Egjiptit, Hanafy El Gebali, ka thënë se situata në lidhje me Kosovën ka ndryshuar dhe njohja si shtet i pavarur “nuk është aktivizuar”.

Mediat serbe raportojnë se Gebali këto deklarata i ka bërë në një bisedë me Kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, përcjell Demokracia.com.

Sipas këtyre raportimeve, Gebali citohet të ketë thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës ndodhi në “kushte të veçanta historike”.

“Pas revolucionit të popullit egjiptias, situata ka ndryshuar dhe kjo njohje nuk është e aktivizuar. Ne po i kushtojmë vëmendje të veçantë marrëdhënieve me Serbinë”, citohet të ketë thënë Gebali.

Sipas Daçiqit, Egjipti ende i përmbahet asaj që është rënë dakord disa vite më parë.

“Ata e konsiderojnë këtë çështje një rast të njohjes së ngrirë”, ka thënë Daçiq.

Qeveria e Republikës së Egjiptit në qershor të vitit 2013 kishte marrë vendim për njohjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran.

Vendimi zyrtar i njohjes së Kosovës nga Egjipti i ishte komunikuar asokohe Ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhajt, nga Ministri i Punëve të Jashtme të Egjiptit, Mohamed Kamel Amr dhe Ndihmës-presidenti i Egjiptit për Marrëdhënie me Jashtë dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Essam Al-Haddad.

Shteti i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës është Izraeli, ku marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën më 1 shkurt 2021.

Kjo njohje erdhi nën ndërmjetësimin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se ka telefonuar…