“Daily Mail”: Schumacheri ka bërë përparime të jashtëzakonshme
Në mediet evropiane po qarkullon një lajm i madh mbi gjendjen shëndetësore të Michael Schumacherit. Sipas “Daily Mail”, ish-kampioni i Botës në Formula 1 ka bërë përparime të jashtëzakonshme sa i përket shëndetit, pas një periudhe të gjatë rehabilituese si pasojë e aksidentit të pësuar në Meribel të Francës.
Thuhet si ish-ferraristi është i vetëdijshëm dhe nuk ka më nevojë për ndihmën e pajisjeve. Michael Schumacher nuk është i lidhur pas shtratit dhe nuk ka nevojë për frymëmarrje artificiale për të qëndruar në jetë.
Po sipas “Daily Mail”, shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 ka peshë normale. Schumacher banon në shtëpinë e vet në Zvicër, në një dhomë të përshtatur për trajtimin shëndetësor. Informacionet përkasin me deklaratën e pak ditëve më parë të presidentit të FIA-s, Jean Todt, që theksoi se e kishte ndjekur bashkë me Shumacherin garën për Çmimin e Madh të Brazilit, por pa dhënë detaje të tjera mbi shëndetin e gjermanit.