Daja dhe Gripshi: Ballkani do ta përfaqësojnë në mënyrën më të mirë Kosovën
Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Ballkani nesër (e enjte) në stadiumin “Fadil Vokrri” do të përballet me skuadrën e Bate Borisov.
Kjo ndeshje është mjaftë e rëndësishme për klubin më të suksesshëm në dy vitet e fundit në Kosovë, pasi një rezultat i favorshëm do t’i jepte mundësinë që të përsërit suksesin e vitit të kaluar që të luajë në fazën e grupeve. Në fakt, ndeshja që zhvillohet nesër në Prishtinë i takon “play-off”-it në kuadër të Ligës së Konferencës. Një ditë para ndeshjes në konferencë për medie, trajneri Ilir Daja ka thënë se Ballkani në këtë ndeshje nuk e përfaqëson vetëm Suharekën, por mbarë Kosovën, prandaj edhe do të japin maksimumin.
“Nëse flasim rreth historisë që kemi bërë, për të dytin vit radhazi gjendemi në ‘play-off’. Në një moment të tillë, përfaqësimi ynë kalon përtej Ballkanit të Suharekës, pasi përfaqësojmë edhe Kosovën. Ditët e fundit i kam ndarë lojtarët në dy grupe, ata që luajtën në kampionat, në fundjavë, dhe ata që qëndruan pushim. Menjëherë pas konferencës, do të kryejmë dhe seancën e fundit ku do të jemi të gjithë të bashkuar, në prag të këtij takimi, që sigurisht nuk do të përfaqësojmë vetëm Ballkanin e Suharekës”, ka thënë Daja, i cili pranoi se mungesa e Albion Rrahmanit, Lindon Emërllahut dhe i Qëndrim Zybës janë të mëdha por nuk ka justifikime për të mos pasur sukses në këtë ndeshje.
Optimist për ndeshjen e Ligës së Konferencës ndaj Bate Borisov është edhe mesfushori Nazmi Gripshi. “Si ekip dihet që kemi arritur në fazën e ‘play-off’ dhe kemi bërë paraqitje të mirë. Shpresojmë të paraqitemi denjësisht dhe të arrijmë rezultat pozitiv. Ballkani ka të bëjë me grupin dhe do të kemi, shpresoj të kemi paraqitje të mirë për rezultat pozitiv, si dhe përkrahjen e madhe të nga tribunat”, ka thënë Gripshi.
Ndeshja mes Ballklanit dhe Bate Borisov fillon në orën 20:45.