Daja i 21-vjeçares që u vra në Ferizaj: T’i bashkojmë forcat si shoqëri e t’i ndihmojmë drejtësisë, s’durohet më kështu
Milazim Tahiri, daja i 21-vjeçares Erona Cokli e cila është vrarë pasditen e së premtes në Ferizaj, ka thënë në një marsh protestues që është mbajtur sot (e hënë) në këtë qytet se shoqëria duhet ta ndihmojë drejtësinë.
Tahiri ka thënë se dëshiron që “gjaku i Eronës të jetë vulë për drejtësinë e këtij vendi”, raporton “T7”.
“Unë jam Milazim Tahiri, daja i Drilonit. Unë mendoj se edhe ne si shoqëri në përgjithësi do t’i bashkojmë forcat dhe do t’i ndihmojmë drejtësisë. Boll na vranë. S’durohet më kështu. Unë mendoj që të jetë ky rast i fundit, se na vranë Marigonën, na e vranë Liridonën, na e vranë Eronën. Boll më me vrasje. S’ka më vrasje. Dëshira ime është që gjaku i Eronës të jetë vulë për drejtësinë e këtij vendi”, ka thënë ai në një deklarim të shkurtër para gazetarëve.
Në këtë protestë po merr pjesë edhe vëllai i mitur i 21-vjeçarë së vrarë, i cili mbeti i plagosur atë ditë.
Erona Cokli është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. 21-vjeçarja u varros dje, ndërsa 36-vjeçari është arrestuar ditën e krimit dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Një tjetër protestë e thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të mbahet sot. Është planifikuar të fillojë në 17:30 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.