Daja, kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Kosovës
Trajneri aktual i Ballkanit, Ilir Daja ka parakaluar të gjithë emrat në garë dhe shihet si kandidati kryesor apo favorit për t’u bërë përzgjedhës i ardhshëm i Përfaqësueses së Kosovës.
Gjatë ditës së mërkurë, Federata e Futbollit e Kosovës vendosi t’i ndajë rrugët me përzgjedhësin slloven, Primoz Gliha, pas dështimit të Kosovës në eliminatoret e “Euro 2024”.
Menjëherë pas lajmit të largimit të Glihas, filluan të qarkullojnë lajme me emra të ndryshëm të trajnerëve që pritet ta marrin drejtimin e Kosovës. Ndër më të përfolurit ishin kroati Nenad Graçan dhe boshnjaku Blaz Sliskovic si përzgjedhës të ri të Dardanëve apo pasues të sllovenit Gliha.
Megjithatë, një trajner i njohur shqiptar dhe i suksesshëm gjithashtu po shihet si favorit për të marr drejtimin e ekipit përfaqësues.
Sipas burimeve të Telegrafit, Ilir Daja është kandidati kryesor për të marr drejtimin e Kosovës.
Arritja e marrëveshjes mes palëve mund të ndodh së shpejti, por trajneri i Ballkanit do të emërohej në detyrë vetëm pas përfundimit të sezonit 2023/24, kur edhe i skadon kontrata.
Përparësi e tij është se Daja e njeh mirë mentalitetin shqiptar dhe të futbollistëve nga Kosova, ndërsa me emërimin e tij do t’i jepej rëndësi e madhe edhe futbollit vendor, ku nuk do të mungonin ftesat për shumë lojtarë.
Daja njihet për suksesin e madh me Ballkanin e Suharekës, ku në dy sezonet e fundit i ka shpallur kampion të Kosovës dhe janë në rrugë për të fituar edhe vitin e tretë radhazi.
Përveç kësaj, trajneri nga Shqipëria ka arritur të kualifikojë Ballkanin në dy edicione radhazi në grupet e Ligës së Konferencës, teksa gjatë kohës së tij janë bërë edhe disa shitje të mëdha të lojtarëve vendor.
57-vjeçari i lindur në Tiranë ka drejtuar shumë klube të njohura në Shqipëri që nga viti 2005 si Elbasani, Dinamo Tirana, Besa e Kavajës, Tirana, Skënderbeu, Flamurtari dhe Partizani.
Në Shqipëri, Daja ka fituar titullin me tri herë me tri skuadra të ndryshme. Me Elbasanin në sezonin 2005/06, me Dinamon në sezonin 2007/08 dhe Skënderbeun në sezonin 2017/18, ku e fitoi edhe Kupën.
Me klubin korçar, trajneri 57-vjeçar kapi edhe grupet e Ligës së Evropës, ku është edhe suksesi më i madh i një klubi shqiptar.