Daja: Krenar me skuadrën, na penalizuan edhe mungesat në mesfushë
Pas barazimit në ndeshjen e parë në grupe, Ballkani dhuroi një tjetër performancë të mirë në Çeki përballë Slavias së Pragës, por në fund u largua pa pikë, pasi u mposht me rezultatin 3-2.
Ndonëse ishte dy herë në avantazh, skuadra kampione e Kosovës nuk ia doli të marrë qoftë edhe një pikë në Pragë, megjithatë trajneri Ilir Daja u shfaq krenar për futbollistët e tij dhe pranoi se kundërshtari ishte shumë i fortë.
“Për nga mënyra se si rrodhën ngjarjet, më vjen keq, por kur bëj një analizë, kishim përballë një ekip shumë të fortë dhe ne kishim shumë mungesa, pasi vetëm Emërllahu ishte mesfushor qendror. Gripshi është me tipare sulmuese, ndërsa në momentin e zëvendësimit, futet Bekteshi, që është qendërmbrojtës dhe luan në mesfushë. Kishim një ekip cilësor përballë, që ka edhe një armë shumë të fortë, siç është eksperienca në kompeticionet europiane. Para një edicioni madje është përballur denjësisht edhe me ekipe si Interi e Barcelona. Megjithatë jemi krenarë për atë që djemtë dhanë në fushë, në një stadium me 20 mijë tifozë kundërshtarë dhe humbëm me vetëm një gol diferencë”, u shpreh Daja.