
Dajaku, e ardhmja e Bayernit
Leon Dajaku po konsiderohet e ardhmja e Bayern Munchenit. Për yllin e ri shqiptar ka shkruar së fundmi mediumi i madh gjerman, “Bild”. 18-vjeçari i ishte bashkuar gjigantit “bavarez” nga Stuttgarti, kurse ai i ka zhvilluar tri ndeshje në Bundesligë deri tash. Ai e kishte bërë debutimin me Stuttgartin në dhjetor të vitit 2018 kur ishte 17-vjeç. “Mendoj se kishte tifozë që do të donin të më shihnin mua duke luajtur gjithmonë me profesionistët. Ata dëshironin lojtarë të freskët, lojtarë të rinj”, ka thënë Dajaku për “Bild”.
Në Bayern, mesfushori ofensiv u bë pjesë e stërvitjeve të ekipit të parë prej mesit të nëntorit, pasi trajneri Hans Flick beson në aftësitë dhe potencialin e tij. “Ishte ndjenjë e çuditshme para seancës së parë stërvitore. Papritmas afër meje ishte Robert Lewandowski, të cilin e njihja vetëm përmes televizorit. Pastaj Joshua Kimmich e Serge Gnabry, të cilët më ndihmuan shumë”, ka shtuar ai.
Në dhomat e zhveshjes ai ulet afër Thomas Mullerit, një tjetër yll i gjigantit “bavarez”. “Nëse do të qëndroj aty, do të bëhem lojtar i madh”, shton Dajaku duke buzëqeshur. Të shtunën që shkoi ai e bëri debutimin me Bayernin në Bundesligë në duel me Wolfsburgun. “Nëse nuk beson se je mjaftueshëm i mirë, nuk mund të shkosh në Bavari. Prandaj, nuk ka arsye të mos kem vetëbesim”, përfundoi Dajaku, i cili në lojën e tij e ka model Cristiano Ronaldon.