Daka: Do të ishte kthim prapa nëse Kosova kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve për organizmin e zgjedhjeve në veri

16 gusht 2023 | 15:23

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë ë se Kosova ka kapacitete t’i organizojë vet zgjedhjet në veri.

Ajo e ka vlerësuar si kthim prapa nëse do të kërkohej ndihmë nga ndërkombëtarët për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

“Ajo do të jetë vlerësim gjithsesi i KQZ-së, jo i imi. Natyrisht ky është mendim i imi personal, por gjithsesi do të ishte kthim prapa sepse Kosova e ka arritur një standard në organizimin e zgjedhjeve, standard që e kanë vlerësuar të gjitha institucionet qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare dhe do të ishte besoj hap i gabuar që tash të kthehemi në një pikë ku kemi qenë shumë kohë më parë”, ka thënë ajo.

Qeveria e Kosovës është duke punuar në krijimin e një udhëzimi administrativ që i hapë rrugë mbajtjes së zgjedhjeve përmes largimit të kryetarëve aktualë.

E pyetur nga “RTV21” se a mund të jetë ky udhëzim një bazë ligjore për ta sfiduar sistemin në përgjithësi, Daka ka thënë se nuk e konsideron si të tillë.

“Udhëzimi administrative mund vetëm ta përcaktojë procedurën se si do të zhvillohet mbajtja apo mbledhja e nënshkrimeve për peticion, por nuk mund të krijojë bazë të re ligjore. Ajo ka qenë vlerësimi i asaj ministrie. Ata e konsiderojnë, por gjithsesi ai udhëzim administrative mund të rregullojë vetëm procedurat, asgjë tjetër. Nuk mund të jep më shumë kompetenca se ato që janë të përcaktuara me ligjin përkatës”, ka thënë Daka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona e ka emëruar ish-mesfushorin Deco në postin e drejtorit…