Daka: KQZ-ja nuk merr asnjë veprim pa ndarjen e buxhetit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk mund të fillojë asnjë procedurë për organizimin e zgjedhjeve pa ndarjen mjeteve të nevojshme nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Kështu ka deklaruar për “Radion Evropa e Lirë”, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka. Ajo ka thënë se KQZ-ja menjëherë, një ditë pas shpalljes së datës zyrtare të zgjedhjeve, ka bërë kërkesë zyrtare për alokimin e parave të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
Ndërsa, në rast të vonesave eventuale, KQZ-ja, sipas saj, nuk merr ndonjë përgjegjësi për mbarëvajtje të mirë të zgjedhjeve.
“KQZ-ja nuk mund të ndërmerr asnjë hap pa i pasur paratë e alokuara. KQZ-ja nuk mund të marr përgjegjësi për vonesa, për mosmbarëvajtje të zgjedhjeve. Sepse ne që në ditën e parë dhe që nga momenti kur kryeministri ka dhënë dorëheqje, kemi treguar se meqë (2019) nuk ka qenë vit zgjedhor, KQZ nuk ka mjete për organizimin e zgjedhjeve”, ka thënë Daka.
Buxheti i planifikuar për organizimin dhe mbajtjen e procesit zgjedhor llogaritet të jetë prej rreth 6 milionë euro.