Daka nuk beson se do të ketë shtyrje të zgjedhjeve në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut
Pavarësisht se ditëve të fundit në vend ka rritje të rasteve të reja me Covid-19, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, nuk beson se zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut do të anulohen.
Ajo ka bërë me dije se nëse do ta këtë një kërkesë për mosbajtjen e këtyre zgjedhjeve nga IKShPK-ja, KQZ-ja do t’i drejtohet presidentit që të vendosë për këto zgjedhje.
“Nuk e besoj (se do të ketë shtyrje) sepse praktikisht e kemi të njëjtën situatë edhe në qoftë se i shtyjmë gjithsesi do të përballemi me COVID deri në momentin kur në të gjithë botën të menaxhohet në një mënyrë tjetër, nuk besoj që do të kemi shtyrje të zgjedhjeve, sepse gjithandej nëpër botë janë duke u mbajtur zgjedhjet shohim edhe në SHBA zgjedhjet janë duke u mbajtur. Në fund të fundit ajo është vendim i cili nuk varet vetëm nga ne. Në qoftë se kemi një kërkesë të tillë, natyrisht që ne do t’i drejtohemi presidentit si personi i vetëm i cili ka diskrecion që të vendosë lidhur me shtyrjen e këtyre zgjedhjeve”, ka deklaruar ajo për “KosovaPress”.