Daka: Partitë duhet ta kenë parasysh integritetin e kandidatëve në zgjedhje
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë se partitë politike duhet ta kenë parasysh integritetin e kandidatëve, meqë kjo ndikon në organizimin më të mirë të zgjedhjeve.
“KQZ-ja është organ i pavarur i themeluar në pajtim me Kushtetutën përveç aspektit të organizimit të zgjedhjeve ajo është përgjegjës e partive politike. Kemi miratuar edhe rregullin për regjistrimin e partive politike. Sot të gjitha subjektet politike të regjistruara i kanë të normuara përzgjedhjet. Një aspekt i rëndësishëm në këtë drejtim është marrja parasysh e integritetit të kandidatëve pasi ndikon në organizim më të lehtë të zgjedhjeve. Tash është në dorën e partive politike që të nominojnë persona të ndjekur me vepra penale në listën e tyre apo jo”, ka deklaruar Daka në punëtorin me temën “Procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve të partive politike në Britani të Madhe” të organizuar nga Fondacioni Ëestminster për Demokraci.
Ndërkohë shefi i seksionit për demokratizim nga Ambasada e Britanisë në Kosovë, Sam Paice, ka thënë se kandidatët e përzgjedhur nga partia e tyre duhet të kenë parasysh që ata janë fytyra e partisë dhe si të tillë duhet që t’i kenë cilësitë e nevojshme.
“Është një mekanizëm parësor që partitë politike vendosin nëse një individ ka cilësitë e nevojshme për tu bërë zyrtarë i zgjedhur. Përzgjedhja e drejtë e kandidatëve është e rëndësishme për partitë politike për votuesit dhe për demokracinë në përgjithësi. Kandidatët të cilët partia politike përzgjedhë ata janë fytyra e partisë. Ky është një proces shumë kompleks pasi gjithë mandatin e ardhshëm do mbështeteni në këta persona”, është shprehur Paice.