Daka: Procesi zgjedhor po shkon drejt përmbylljes
Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit po shkon drejt fundit. Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate nga 1407 vendvotimeve, janë rinumëruar rreth 78 për qind të votave.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka deklaruar për “Radion Evropa e Lirë” se pas përfundimit të rinumërimit, KQZ-ja është e gatshme të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve.
“Pasi që të përfundon rinumërimi, sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, më nuk ka afat të ankesave. Pra, është afati i fundit në ditën e fundit të rinumërimit, dhe pas kësaj, nëse nuk kemi ndonjë ankesë tjetër jemi të gatshëm që t’i certifikojmë rezultatet”, ka deklaruar Daka.
Kryetarja e KQZ-së, nuk deshi të jap ndonjë datë të saktë se kur do të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, por sipas saj, mund të ndodhë që kjo të bëhet javën e ardhshme.
“Nuk kisha dashur të jap ditë apo datë të certifikimit sepse duhet së pari të presim ta përfundojnë rinumërimin dhe pas asaj mund të flasim për data eventuale”, u shpreh Daka.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Këto parti janë duke zhvilluar takime për formim të qeverisë së re, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor.