Daka: Ta fillojmë reformën zgjedhore
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë se nën drejtimin e saj ky institucion do të jetë më efikas gjatë këtij mandati.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka bërë me dije se synim kryesor do ta ketë perfeksionimin e procesit zgjedhor.
“Është nder i madh për mua ta drejtoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve edhe për një mandat. Në momentin që të kompletohemi si KQZ do të merremi me çështje të cilat na kanë mbetur, pra me rekomandimet e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë. Rekomandimet e tyre do t’i zbatojmë në përpikëri. Synim kryesor do ta kemi perfeksionimin e procesit zgjedhor”, ka deklaruar Daka, duke shtuar se do ta japë maksimumin për t’i kaluar me sukses të gjitha sfidat.
“Kurrë nuk dihet se çfarë sfidash na presin. Edhe pse unë jam gjatë në krye të KQZ-së, megjithatë asnjëherë nuk mund të them se hyj në proces zgjedhor pa frikë. Gjithmonë ekziston frika se si institucion mund të dështojmë, pastaj barra më e madhe bie mbi mua si kryetare e KQZ-së. Por, do të përpiqem ta jap maksimumin për t’i tejkaluar të gjitha sfidat”, është shprehur ajo.
Daka u ka bërë thirrje institucioneve dhe subjekteve politike që sa më shpejt ta fillojnë reformën zgjedhore pasi, sipas saj, tani është koha më e përshtatshme për të ndodhur ky proces.
“Nëse ka vullnet politik nga subjektet politike në pozitë dhe opozitë për të pasur një reformë zgjedhore të mirëfilltë ne do ta japim kontributin tonë, mirëpo pa vullnet politik nuk ka reformë zgjedhore. Unë si kryetare e KQZ-së në vazhdimësi u kam bërë thirrje politikanëve dhe institucioneve ta fillojnë reformën zgjedhore sepse kjo ka qenë një prej rekomandimeve kryesore nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë. Ka çështje teknike të cilat me shumë pak ndryshime do të rregullohen dhe do ta përmirësonin procesin zgjedhor”, ka theksuar ajo.
Daka ka thënë se pjesë e reformës zgjedhore duhet të jenë lista e votuesve, votimi jashtë Kosovës, votimi me kusht, emërimi i komisionarëve, mënyra e numërimit të votave si dhe çështje të tjera.
“Epoka e re”: Znj. Daka, edhe për një mandat ju do të drejtoni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Pse vendoset që edhe për shtatë vjet të tjera të jeni në krye të këtij institucioni?
Daka: Është nder i madh për mua ta drejtoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve edhe për një mandat. Në mandatin e kaluar kemi kryer një punë të madhe. KQZ-ja nën drejtimin tim ka kaluar sfida të shumta, kemi pasur dështime, por edhe suksese të mëdha. Si institucion kemi arritur t’i tejkalojmë të gjitha mospajtimet profesionale dhe partiake. Kemi organizuar shumë cikle të zgjedhjeve të cilat janë vlerësuar me notë të lartë si nga vëzhguesit vendorë, po ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë. Sidomos në vitet e fundit kemi përmirësuar imazhin e shtetit të Kosovës duke organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike.
“Epoka e re”: Cilët do të jenë hapat kryesorë që do të ndërmerrni gjatë këtij mandati?
Daka: Sapo të kompletohemi si KQZ do të merremi me çështje të cilat na kanë mbetur, pra me rekomandimet e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë. Rekomandimet e tyre do t’i zbatojmë në përpikëri. Synim kryesor do ta kemi perfeksionimin e procesit zgjedhor. Natyrisht se do të punojmë edhe në listën e votuesve dhe në të gjitha aspektet për të cilat kemi pasur vërejtje në proceset e kaluara zgjedhore. Pasi të emërohen anëtarët e KQZ-së do ta vazhdojmë punën me intensitet të lartë, meqë kemi shumë punë edhe jashtë zgjedhjeve. Do të merremi me infrastrukturën ligjore dytësore, do t’i përmirësojmë të gjitha ato për të cilat kemi vërejtje në raportet e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që të përmirësohet procesi zgjedhor.
“Epoka e re”: Pra, KQZ-ja në këtë mandat do të jetë më efikase në punën e saj?
Daka: Shpresoj se do të jetë më efikase dhe për këtë do ta japë maksimumin tim. Ashtu siç kam punuar deri më tash, do të punoj edhe më tutje së bashku me anëtarët e rinj të KQZ-së, të cilët besoj se shumë shpejt do të emërohen. Me këtë rast i falënderoj të gjithë anëtarët të cilët kanë qenë në KQZ për bashkëpunimin, institucionet dhe mediet.
“Epoka e re”: Prisni që këtë vit të ketë reformë zgjedhore?
Daka: Nëse ka vullnet politik nga subjektet politike në pozitë dhe opozitë për të pasur një reformë zgjedhore të mirëfilltë ne do ta japim kontributin tonë. Mirëpo pa vullnet politik nuk ka reformë zgjedhore. Unë si kryetare e KQZ-së në vazhdimësi u kam bërë thirrje politikanëve dhe institucioneve të fillojnë me reformën zgjedhore, sepse kjo ka qenë një prej rekomandimeve kryesore nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë. Ka çështje teknike të cilat me shumë pak ndryshime do të rregullohen dhe do ta përmirësonin procesin zgjedhor.
“Epoka e re”: Është koha e duhur që tani të nisë procesi i reformës?
Daka: Po, sepse reforma zgjedhore duhet të bëhet në mes të proceseve zgjedhore dhe jo në prag të tyre. Pra, në mes të cikleve zgjedhore preferohet të bëhet reforma zgjedhore në mënyrë që të kemi mundësi t’i informojmë votuesit si dhe partitë politike të jenë të informuara lidhur me ndryshimet eventuale.
“Epoka e re”: Cili do të jetë efekti kryesor i kësaj reforme?
Daka: Varet se çfarë reforme do të kemi. Reformat gjithmonë bëhen për të avancuar në procese dhe varësisht nga ajo se sa do të kemi mundësi të bëjmë reformë aq do të jetë edhe efekti në zgjedhjet e ardhshme.
“Epoka e re”: Çfarë duhet të përfshijë reforma?
Daka: Lista votuese, votimi jashtë Kosovës dhe votimi me kusht kanë qenë pikat më neuralgjike të procesit zgjedhor. Duhet të ketë reformë edhe sa i përket emërimit të komisionarëve sepse e dimë se në shumicën e rasteve dobësia më e madhe ka qenë tek numërimi i votave në vendvotime nga militantët politikë të cilët e kanë shtrembëruar procesin zgjedhor, sidomos kur ka qenë çështja te kandidatët qoftë për Kuvend apo për asamble komunale. Kjo na ka shkaktuar shumë vonesa, pastaj edhe në shpalljen përfundimtare të rezultateve. Është pastaj edhe mënyra e numërimit të votave, si dhe shumë çështje të tjera të cilat kanë nevojë të reformohen. Ndoshta nuk ka nevojë të bëhen reforma rrënjësore, sepse ka shumë çështje teknike sa i përket sistemit zgjedhor që mund të rregullohen shumë lehtë.
“Epoka e re”: Mendoni se më nuk duhet të mbahen asnjë palë zgjedhje pa reformë zgjedhore?
Daka: Reforma është çështje që iu përket partive politike, kurse ne si KQZ kemi obligim të mbajmë zgjedhje dhe t’i organizojmë ato në mënyrën më të mirë. Prandaj nëse do të ketë apo jo reformë zgjedhore do të vendosin subjektet politike dhe institucionet relevante. Me pak vullnet politik dhe pak përkushtim të institucioneve ka shumë çështje që mund të rregullohen. Megjithatë, kurdo që mbahen zgjedhjet, me apo pa reformë, unë dhe anëtarët e KQZ-së do të angazhohemi që ato të jenë të lira dhe demokratike. Prandaj shpresoj se zgjedhjet e ardhshme të jenë zgjedhjet më të mira që i kemi organizuar ndonjëherë kurdo që mbahen ato.
“Epoka e re”: Çfarë do të jetë sfiduese për ju në këtë mandat?
Daka: Kurrë nuk dihet se çfarë sfidash na presin. Edhe pse jam gjatë në krye të KQZ-së, megjithatë asnjëherë nuk mund të them se hyj në proces zgjedhor pa frikë. Gjithmonë ekziston frika se si institucion mund të dështojmë, pastaj barra më e madhe bie mbi mua si kryetare e KQZ-së. Por, gjithsesi do të përpiqem ta jap maksimumin tim për t’i tejkaluar të gjitha sfidat.
Shqipe HETEMI