Daku: ‘Euro 2024’, eksperiencë jo shumë e mirë për mua
Kombëtarja e Shqipërisë e mbaroi aventurën në “Euro 2024”. “Kuqezinjtë” u gjendën në “Grupin e Vdekjes”, me kundërshtarë tejet të fortë si: Spanja, Italia dhe Kroacia.
Skuadra e Sylvinhos arriti të marrë vetëm një pikë në përballjen me Kroacinë, që përfundoi 2-2, kurse u mposht nga Italia 2-1 dhe Spanja 1-0. Në përgjithësi futbollistët shqiptarë treguan paraqitje dinjitoze duke mos u turpëruar nga kombëtaret me klas botëror. E të martën ata veçse mbërritën në Aeroportin e Rinasit.
Aty, një nga futbollistët më të përfolur të kombëtares Mirlind Daku, dha një intervistë për mediat shqiptare. Ai deklaroi se “Euro 2024, nuk ishte dhe aq eksperiencë e mirë për të”.
“Ka qenë një eksperiencë e mirë për gjithë grupin, por për mua jo shumë e mirë, duke e parë atë rastin që ndodhi. Por nuk kemi çfarë të bëjmë. Kombëtarja po rritet më shumë dhe jam i kënaqur që isha pjesë e saj në ‘Euro 2024’. Sylvinho u ndje krenar që e kemi përfaqësua shumë mirë. Ne dinim që ky ka qenë grup i vështirë”, ka thënë Daku. Daku ishte dënuar me dy ndeshje moslojë nga UEFA, si shkak i pjesëmarrjes në thirrjet ofenduese ndaj serbëve dhe maqedonaseve.