Daku kërkon falje për fyerjet ndaj maqedonasve e serbëve
Sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, ka kërkuar falje për fyerjet që i bëri në drejtim të maqedonasve dhe serbëve pas ndeshjes së kuqezinjve ndaj Kroacisë.
Daku përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook tha se si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një tjetër nivel e ku sipas tij, vetëm brenda fushës mund të kuptohen.
“Është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, ‘Shqipëri dashni pa kufi’”.
“Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona”, shkroi Daku.
Më tej, ai tha se e ndien obligim moral dhe profesional që të kërkojë falje për thirrjet e tij pas përfundimit të ndeshjes ndaj të gjithë atyre që janë lënduar.