Daku ‘sheh’ kah Italia, sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë shton polemikat në Rusi
Në futboll ndodh çdo gjë, ndaj edhe nuk duhet të habitemi lehtë. Rreth Mirlind Dakut ka pasur spekulime të shumta, mbi një kalim të mundshëm në Itali, Gjermani apo në ndonjë ekip tjetër të Premier Ligës së Rusisë, dhe këto histori po përsëriten.
Mediave ruse nuk u ka shpëtuar fotografia e sulmuesit të kombëtares me fanellën e Atalantës, ekipit ku luan kapiteni kuqezi, Berat Gjimshiti.
Po ashtu, në media online “Veçernaja Kazanj” është shfaqur fotoja e makinës së Dakut me flamurin trengjyrësh italian, dhe menjëherë është hedhur ideja se ai mund të shkojë në Serinë A.
Dyshimet janë për te Cagliari, ndonëse bluza që veshi 27-vjeçari ishte ajo zikaltër e Atalantës. Për momentin, shqiptari është me pushime, ashtu si lojtarët e tjerë të Rubinit, sepse Premier Liga ruse është ndërprerë për shkak të dimrit, dhe faza përgatitore e kësaj stine ende nuk ka nisur.
Daku ishte lojtari më i mirë i Rubinit, po ashtu u shpall “Personaliteti Sportiv” i vitit në Republikën Autonome të Tatarstanit, përveçse ishte më i mirë në elitën ruse për kontributin për golat në 2024, me 15 rrjeta e 9 asistë.
Ai ka thyer rekordin e klubit në këtë statistikë, ndërsa besohet se interesim për shërbimet e tij ka pasur nga Spartak i Moskës apo Krasnodari, e një mendim e ka pasur Zeniti. Rubin kërkon nga 12 deri në 18 milionë euro për kartonin e tij.