Dalin pamjet e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla
Gazetari Valon Syla ishte objekt sulmi mbrëmjen e së martës, nga tre sulmues tashmë të identifikuar, që ai i quajti “islamikë fanatikë”.
Policia tashmë ka identifikuar sulmuesit ndaj gazetarit në fjalë, dhe se po vazhdon përpjekjet për arrestimin e tyre, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ndërkohë, në T7, janë publikuar edhe pamje nga sulmi ndaj Valon Sylës.
Vetë ai ka rrëfyer se si sulmuesit e kishin përcjellur me veturë. Derisa po hynte në lokal, në Bregun e Diellit, ku pritej të takohej me kolegë gazetarë, Syla është sulmuar te dera e lokalit.!
“Unë kam qenë me Ilirin. E shihte në pasqyrë që dikush nga afër po mundohej të afrohej. Menduam se ishte Leo. Kur u afrova tek shkallët mu afrua një person, që mund ta identifikoj tani, por nuk e njoh. Ilir ishte duke parkuar kerrin. Aty brenda kanë qenë edhe disa gazetarë tjerë”, tregoi ai në T7.
“Ishte një djalë i ri rreth të 30-ave. Më tha ‘a po vjen dej qetu’. Si ja pashë mjekrrën e dita që është fetar. Kishte mjekër dhe trenerka kështu dukej si shoumen. Edhe i dhunshëm. U mundova të vrapoj që të hapi derën dhe pastaj ata do largoheshin pari që mund të shihnin njerëz brenda dhe do frikësoheshin. Nuk u hap dera menjëherë. Pastaj më grushtuan. Edhe me pjesë metalike të orës. U mundova ta ruaj fytyrën. Ilir Mirena u ngut dhe largoi njërin, pastaj edhe tjerët dolën nga brenda. Ata ikën. Por mjaftoi që të më shkaktonin lëndime”, shtoi Syla, transmeton Express.
Ai po ashtu tha se u befasua për të mirë me trajtimin që mori në QKUK.
“Menjëherë e kam thirrë policinë. Ata ndihmën e shpejtë. Më dërguan në QKUK dhe pati reagim shumë të mirë dhe trajtim profesional”, përfundoi ai.