Dalin pamjet e sulmit në Prizren ndaj ekipit të Nacionales (VIDEO)
Gazetari i Nacionals, Vullnet Krasniqi dhe kameramani janë sulmuar sot derisa po raportonin nga protesta kundër DokuFestit në Prizren.
Të dyshuarit janë arrestuar, siç ka konfirmuar tashmë edhe Policia e Kosovës.
Ndërkohë, Nacionale ka publikuar pamjet e këtij sulmi, ku në fakt, Policia e Kosovës shihet duke mos reaguar ndaj të njëjtit.
Sulm ndaj personit zyrtar
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi e ka konfirmuar arrestimin e një të dyshuari në lidhje me sulmin ndaj ekipit të Nacionales, duke shtuar se rasti është duke u cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar.
“Hetimet i kemi filluar me Prokurorinë e shtetit për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Momentalisht nuk mund të japë më shume informacione”.
Shumë reagime
Sulmi fizik ndaj ekipit të gazetës Nacionale është dënuar ashpër nga përfaqësuesit e gazetarëve dhe të shoqërisë civile.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës sulmin ndaj gazetarëve e ka cilësuar të papranueshme, duke kërkuar dënimin e autorëve.
“AGK-ja e dënon sulmin fizik ndaj ekipit të Nacionales në Prizren. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, është i tronditur me sulmin ndaj ekipit të portalit Nacionale, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi në Prizren. Krasniqi dhe Latifi ishin atje për të raportuar për protestën e thirur nga imamët lokalë kundër festivalit “Dokufest”. Sipas raportimeve të medies, ata janë sulmuar dhe shtyrë fizikisht nga një pjesë e turmës protestuese derisa po kryenin punën e tyre. Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve. AGK-ja, kërkon nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre të menjëhershme me drejtësinë”, është thënë në reagimin e AGK-së.
Edhe juristja e medias Flutura Kusari ka bërë thirrje për dënim të autorit.
“Gazetari i Nacionales Vullnet Krasniqi dhe kameramani janë sulmuar fizikisht nga disa persona në Prizren derisa po bëheshin gati të raportojnë protesten kundër. Dokufest, ngjarjes më të rëndësishme dhe më të mrekullueshme kulturore që ka Kosova. Kriminelët duhet të arrestohen menjëherë. Për çdo minutë që ata nuk janë në paraburgim, mesazhi është msyjani gazetarëve se nuk keni pasoja. Pa u rritë dënimet për sulme online dhe fizike ndaj gazetarëve dhe pa u ndal denigrimi verbal i gazetarëve nga njerëzit e veshur me pushtet politik, fetar apo financiar, të bërit gazetari do të vazhdojë të përkeqësohet më shpejtësi. Ky ështe sulmi i 54 ndaj gazetarëve dhe kameramanëve ketë vit, sipas faqes së AGK-së. Në vitin 2020, Kosova kishte regjistruar 24 sulme”, ka shkruar Kusari në profilin e saj në “Facebook”.
Kurse, drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka bërë me dije se ky sulm është edhe një tregues për atë së deri ku ka arritur agresiviteti i individëve dhe grupeve me orientim fondamentalist islamik në Kosovë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se autorët e sulmit duhet të nxjerrën para drejtësisë.
“Se pari shpresoj se gazetari Vullnet Krasniqi dhe kameramani i Nacionales nuk kane pesuar lendime fizike. Ky sulm ndaj gazetareve te Nacionales eshte edhe nje tregues per ate se deri ku ka mberrite agresiviteti i individeve dhe grupeve me orientim fondamentalist islamik ne Kosove. Me asnje kusht nuk bene qe te lejohet qe ky akt i dhunshem te kaloj pa u denuar rende nga organet e drejtesise! Poashtu, edhe Policia e Kosoves duhet te njoftoj opinionin se Bashkesia Islame e Prizrenit a ka kerkuar leje per proteste dhe a ju ka dhene e njëjta”, ka shkruar Peci.
Më herët, për sulmin kanë reaguar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku dhe zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.
Protesta e sotme në Prizren ishte ftuar edhe nga kryeimami i BIK-ut në Prizren, Besim Berisha. Në këtë protestë, janë dëgjuar edhe thirrjet islame “Allahu akber”, që në shqip i bie “Zoti është më i madhi”.