Dalin pamjet e sulmit në supermarket, momente tmerri mes njerëzve në Itali
Pamjet e publikuara nga mediet në Itali tregojnë momentet pak pas ngjarjes së rëndë që tronditi një ditë më parë Italinë, kur një person hyri në një supermarket pranë Milanos e nisi të qëllonte me thikë njerëzit e ndodhur aty.
Një punonjës i marketit humbi jetën, ndërsa katër persona të tjerë u plagosën: mes tyre, edhe futbollisti spanjoll Pablo Mari, i cili u qëllua në shpinë. Plaga e tij, nga mësohet prej shtypit vendas, është mjaft e thellë. Futbollisti është nën kujdesin e mjekëve në spital.
Agresori u identifikua si Andrea Tombolini, 46 vjec, person me proboleme të rënda psiqike. Prej një viti merrte mjekime të forta pas një krizë të rëndë depresioni. Nuk ka hyrë i armatosur, por thejsht ka rrëmbyer një thikë nga raftet e marketit dhe ka nisur të qëllojë ata që i dolën përpara rastësisht. Hetuesit e përjashtuan menjëherë pistën e një akti terrorist. Hipoteza kryesore deri tani është që sulmuesi ka vepruar aty për aty, pas një krize psiqike të momentit.
Kur u dërgua në komisariat, 46-vjeçari mësohet se ka përdorur disa fjali pa kuptim, ndërsa e gjithë gjendja e mendore duket mjaft e trazuar. Tombolini është mjekuar për plagët që i kishte bërë vetes në fytyrë; sipas dëshmitarëve burri kishte goditur veten me grushte. Aktualisht, është shtruar ne një spital të zonës në repartin e psikiatrisë, e akuzohet për vrasje dhe tentative të shumëfishta ndaj jetës.
Agresori i ndalua nga ish futbollisti i Interit, Massimo Tarantino, pa ndërhyrjen e të cilit ndoshta, bilanci i kësaj tragjedie mund të kishte qenë edhe më i rëndë. Viktima e ngjarjes Luis Fernando Ruggieri, si për ironi, kishte të njëjtën moshë me agresorin, 46 vjeç, e ishte i punësuar i supermarketit dhe me origjine boliviane. Top Channel.