Dalin pamjet, pritë me kallash, momenti i vrasjes së “The Boss” në Vlorë (Video)
Janë publikuar pamjet e ekzekutimit të ndodhur pasditen e sotme në Vlorë, ku mbeti i vrarë Bledar Birçaj. Siç duket edhe nga pamjet e siguruar nga ABC shihet se si i është zënë pritë viktimës nga dy autorët e maskuar dhe të armatosur me kallashnikovë.
Në momentin që makina e viktimës tip “BMW X5” me targa AB 797 CS, afrohet në lëvizje e sipër, dy autorët hapin zjarr me breshëri mbi xhamin e parë të makinës duke lënë të vdekur në vend Bledar Birçaj.
Ndërkohë vetëm pak sekonda më pas, hapet dera e makinës, ndërsa një person duket se kundërpërgjigjet me armë, por kjo mbetet ende e pa verifikuar nga autoritetet. Pas kësaj skene një nga autorët shihet se mban dorën në trup, ndërsa arma automatike që kishte në dorë i bie në tokë.
Ai për një moment largohet së bashku me autorin tjetër të vrasjes, ndërsa në fragmentet e sekondave ai kthehet për të marrë armën. Ndërsa personi që del nga makina e viktimës ikën me vrap në krahun tjetër të rrugës, ku më pas u fsheh në një garazh.
Ky person është dëshmitari kyç i kësaj ngjarjeje të rëndë. Ai është ndaluar nga policia, ku është marrë në pyetje. Krimi i rëndë ndodhi në zonën e quajtur Bishti i Kalldrëmit , në lagjen Hajro Çakerri në Vlorë.
Pistë kryesore e grupit të hetimit është e shkuara e viktimës në Spanjë. Ai rezulton i dyshuar si i përfshirë në një tjetër ngjarje në vitin 2011, por hetimet në lidhje me këtë çështje u pushuan për mungesë provash.
Së fundmi ai kishte qëndruar më shumë kohë në Spanjë prej nga bënte shpesh vajtje ardhje nga Shqipëria. Në Vlorë nuk njihej si person problematik por si biznesmen pasi ishte pronar i një lokali të quajtur “The Boss” të njohur në zonën e Lungomares.