Dalin rezultatet, gruaja e shtrirë në Klinikën Infektive nuk ka koronavirus
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK-së për një paciente të dyshimtë në sëmundjen koronavirus COCID-19.
“Pacientja ka pasur ethe, djegieje të syve, rrjedhje hunde dhe fytin e ndjeshëm. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS-CoV-2 me metodën rRT-PCR. Testi ka rezultuar negativ, domethënë pacientja nuk është infektuar me virusin SARS-CoV-2”, është thënë në njoftimin e IKSHPK-së.
Në këtë njoftim është theksuar se laboratori mikrobiologjik/IKSHPK është pajisur me kite dhe reagensa për detektimin e 2019-nCoV.
“Ekipet e Institutit Kombëtar po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me koronavirus në botë. Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka konstatuar se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri”, është thënë në njoftimin për media, duke theksuar tutje se është kompletuar plani gatishmërisë për koronavirus dhe plani i kontingjencës duke iu përmbajtur strikt rekomandimeve të OBSH-së.
“Janë shpërndarë materialet dhe dokumentet, posteret e shtypur nga Instituti Kombëtar me kohë janë shpërndarë në institucionet shëndetësore, shkolla, aeroport, hyrje/daljet tokësore, institucionet e burgjeve. Komunikimi me media dhe rrjetet sociale është në vazhdimësi për të ruajtur panikun e mundshëm. Është bërë ngritja e nivelit të vigjilencës dhe gatishmërisë për veprim në situatën e krijuar 24 orë në ANP ‘Adem Jashari’ dhe në hyrje daljet e Kosovës me ekipe mjekësor. Të gjitha institucionet shëndetësore janë të përgatitura për përballje me shfaqjen e sëmundjes”, është theksuar në njoftimin e IKSHPK-së.
/Epoka e re/