Dallaveret me subvencionet në Ministrinë e Pecit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit do t’i qartësojë pretendimet

22 dhjetor 2024 | 12:40

Pretendimet për keqpërdorim dhe konflikt interesi në ndarjen e granteve nga Ministria e Bujqësisë, do të qartësohen gjatë këtyre ditëve, deri në fund të dhjetorit.

Kështu bëjnë të ditur nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK). Pas presionit publik, ministria e Bujqësisë e udhëhequr nga ministri Faton Peci ka pezulluar përkohësisht grantet për vëllain e deputetes të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe këshilltarit e ministrit në fjalë, Naim Huruglica më 22 nëntor 2024 deri në një vendim të APK-së.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj në një intervistë për KosovaPress thotë se është në proces rasti ku vetë Ministria e Bujqësisë ka kërkuar që pretendimet publike për konflikt interesi dhe parregullsi të trajtohen nga kjo agjenci.

Në rast se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit gjen se ka pasur shkelje të ligjit apo procedurave të caktuara, duke përfshirë edhe konfliktin e interesit, Buleshkaj vlerëson se do të parandalohet dëmi i buxhetit publik.

Përkitazi me këtë kërkesë, ai thotë se ‘pika mbi këto pretendime’ do të vendoset brenda vitit 2024, duke nxjerrë vendimin adekuat të bazuar në ligj.

Për këtë proces, KosovaPress ka provuar të merr përgjigje edhe nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe deputetja Fitore Pacolli, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Peci dhe deputetes së LVV-së, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për bujqësi, Fitore Pacolli. LDK ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë pasi sipas tyre është keqpërdorur paraja publike. Zyrtarë të LDK-së, ditë më parë, akuzuan Pecin dhe Pacollin duke thënë se kanë ndikuar që vëllai i deputetes të fitojë grant në vlerë rreth 100 mijë euro.

Lidhur me këtë rast, raportohet se akuzat i mohoi vëllai i deputetes, duke thënë se i ka plotësuar të gjitha kriteret për ta fituar grantin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që pensionistëve dhe fëmijëve…