Dallgët e dhimbshme të një deti varresh
Nga Namik Selmani, shkrimtar
Përsiatje rreth poemës “Deti i varreve“ të autorit Ajet Shala. Asnjë metaforë tjetër nuk do t’i shkonte më shumë për shtat kësaj vepre të re poetike të Ajet Shalës.
Kush ka përvojën e vënies së titujve në veprat e tij kujton se nganjëherë ato vihen në fillim. Nganjëherë vihen në fund. Shumë herë për ta matur mençurinë tonë e për ta arritur atë në maja të reja marrim edhe mendimet e miqve tanë kudo ku janë.
Pa pasur një vulë poetike do të thosha se “Deti i varreve” i vë edhe më mirë kurorën librit më të ri të tij. Poetët janë të mësuar ose më saktë, janë të përkëdhelur kur kujtojnë detin. E më tej, për t’u bërë paksa romantikë aq dhe epikë në atë që duan të thonë me vargjet e tyre, pavarësisht se sa jetëgjatë do të jetë poezia e tyre, ata bëjnë sa e sa metafora me të. I shtojnë atij fjalët dashuri, dhimbje, urrejtje, krisma, shkronja, lumturi, këngë, valle etj. E të gjithë metaforat me të kanë nisur që në foshnjërinë e poezisë së botës.
Në secilën gjuhë të botës fryma e poetëve është e njëjtë me rebelimin me romantizmin e tyre, se kudo metafora “Deti i varreve” është e njëllojtë edhe në ato vende ku mungojnë detet, pse jo dhe lumenjtë që e ushqejnë detin me ujë me valë.
Kudo ku poetët gdhihen e ngrysen pas një dritareje, pas një perdeje fluturore, para një vargu, sërish në tavolinat e tyre vjen deti, vjen vala e dallga e tij. Vjen misteri i tij. Edhe pse dritarja e pragu i poetëve nuk sheh agime të flakëruar e muzgje të trëndafiltë, apo atë formulë magjike të dashurisë “Të dua!” sërish ata e duan detin në vargje. E ky kod metaforik “Deti i varreve” duket se na jep edhe çdo lexuesi një dallgëzim të fortë vargjesh dhe mbresash.
Simbolika e detit do t’i shkonte shumë edhe historisë shqiptare, aq më shumë asaj të gjysmës së shekullit XX. Në Kosovë e në Tivar bëhej një masakër e madhe, ashtu si bëhej edhe në trojet e lashta çame, masakra çame e shpërnguljes dhe e vrasjes së mijëra njerëzve të pafajshëm. Është një përqafim i hidhur ngjarjesh, vitesh, masakrash.
Masakra e Tivarit që Ajet Shala e bën objekt të poemës së tij poetike, në vitin 1945, do të shoqërohen nga masakra çame e viteve 1944-1945. Madje duhet të themi se këtë masakër poeti Kopiliqas e ka pasur prej kohësh në planet e tij krijuese. Filizët e poemës kanë lindur në secilin libër me poezi ku ai ka vënë motive të shkëputura nga kjo masakër.
Për këtë ai kërkon që të shkruajë e të botojë edhe një poemë për këtë masakër. Urojmë që ta ketë sa më të lehtë misionin e tij poetik.
Le të kthehemi në portat e poemës së re.
Ajet Shala është pjesa më e dhimbshme e kësaj masakre. Jo vetëm si poet që do ta përcjellë te lexuesi. Një jetë të tërë ai ka dëgjuar për të. Natyrisht së pari dëgjoi nga gjyshi i tij, nga babai i tij. Më vonë u mor me librat, me arkivat.
Dhe shumë libra lexoi për të. Ndiente një lloj pengu së gjalli për të ndarë e bërë dhe tash po ua paraqet lexuesve të të gjithë trojeve që nga Kosova e deri në diasporë. Po ta shohësh nga gjinia e saj, ajo është një poemë historike me ngjarje e personazhe konkretë.
Është një lloj “Këngët e Milosaos” të ditëve tona. Është një lloj “Kënga e Spapsme e Balës” e Gavril Darës.
Palët kundërshtare në këtë vepër janë mjaft të spikatura e nuk të lënë asnjë pikë dyshimi. Është një dritëhije ku të gjithë e shohin veten. Është një marshim që të ngërthen poetikisht me atë hap të dhimbshëm që e shoqëron secilin pjesëmarrës të tij.
Janë botuar disa vepra për këtë masakër. Madje një poemë të tillë me këtë tematikë e ka botuar edhe miku im Gjokë Dabaj që, gjithashtu, u është referuar personazheve të ngjarjeve. Për hir të së vërtetës ende ka mistere për këtë ngjarje të rëndësishme me shqiptarët në marrëdhëniet e tyre me fqinjët dhe me vetë komunistët shqiptarë të kohës. Njeriu vdes kur harrohet, ka thënë Sokrati. Mbase këtij mendimi të artë do t’i shkonte më saktë edhe kjo ngjarje e pabesë e tradhtisë.
Poeti nuk është arkivist i mirëfilltë në poemë. Aty ka mjaft shpërthime poetike të dhimbjes së dashurisë të personazheve. Në qendër ai ka vënë kryesisht shqiptarët që vijnë në formë e një ëndrre të egër të gjyshit të tij Bajram.
Po, Bajrami është një personazh real, një personazh historik i vërtetë që e rrëfen ngjarjen dhe poeti i ka dhënë këtij rrëfimi ngjyrimin poetik. Ai nuk stis. Ai nuk sajon. Ai është pjesa më e dhimbshme e marshimit dhe e masakrës së Tivarit.
Rrëfimi i tij poetik është dhimbje, është dashuri, është zhgënjim, por edhe krenari për atë forcë të madhe shpirtërore që patën shqiptarët në këtë masakër historike.
Në këtë poemë ai nxjerr qartë në dritën e diellit edhe qëllimet e egra të pushtuesit sllavë që falë edhe tradhtisë kanë shënuar një faqe të zezë në historinë e dy kombeve në mesin e shekullit XX.
Bota njeh në shekujt e saj të jetës së shumë vendeve mjaft masakra. Madje mjaft prej tyre të bëra ashtu me mjaft prej tyre edhe sot janë misterioze në disa tregues së tyre.
Përveç vlerave të saj historike, poema ka edhe mjaft vlera artistike. Të jep emocione të veçanta, qofshin këto të dhimbshme. Në të duhet të gjejnë të vërteta të pathëna të rinjtë, por ta rishikojnë veten edhe politikanët e shumtë të kombit tonë. Në poemë është zgjedhur strofa dyshe me një varg gati homerik ose më saktë i eposit të kreshnikëve.
Mjaft prej vargjeve kanë dhe harmoni të brendshme kjo te rrëfimi i poemës.
Në planin artistik të bie në sy pasthirrma dhe thirrori. Pas pasthirrmës “eh” që është shpërthyese në secilën strofë vjen edhe fjala “bir” që të kujton edhe piskamat e maleve të Kosovës që Ajet Shala i njeh fort mirë. I ka kënduar me qindra herë me tingullin e lahutës në vise të ndryshme.
Është një dialog rrëqethës që e mban këtë ritëm rrëfimi deri në vargun e fundit. Dhe nuk janë pak. Janë 303 njësi strofore me 2 424 vargje të tilla. Shpesh rrëfimi merr nota mjaft dramatike kur masakra futet në kufijtë e një tragjiciteti të jashtëzakonshëm.
Mbase edhe të rinjtë që mund të lexojnë këtë poemë duhet të kenë pak një udhërrëfyes më vete kur ta nisin e ta mbarojnë. Mbase edhe një libër shtojcë në mësimin e historisë, sidomos në Kosovë, mund të ishte ky libër. Vargjet ku të burgosurit vriten e bëhen copa-copa si në një thertore ose kur detyrohen ta qëllojnë njëri-tjetrin janë të paharruara. Në rrëfimin e babë Bajramit duket se marrim edhe mësimet e historisë së kombit tonë.
Pa dashur që të ndikojmë në shijet e lexuesve që do ta lexojnë këtë vepër, mendojmë se kjo është një arritje e mirë e poetit Ajet Shala. Ai ka plan që së shpejti të botojë edhe kujtime të drejtpërdrejta nga kjo masakër, për të cilat ka shumë vite që punon. Në mënyrë simbolike të duket se çdo lexues bëhet shoqërues, pjesë e marshimit nga më të egrit e historisë më fatkeqe, por që duheshin hedhur edhe në vargje.