Damka kërkon të ndahen para për Turqinë, Kurti: Do të diskutojë me ministrat
Qeveria e Kosovës do të ndriçohet me pamjen dhe ngjyrat e flamurit të Turqisë në shenjë solidariteti me popullin turk për shkak të tërmetit, i cili ka marrë mijëra jetë.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka kërkuar nga kryeministrit Albin Kurti që përveç kësaj, të ndahet edhe një shumë parash “për t’u solidarizuar me popullin turk”.
“Qeveria jonë të miratojë një shumë për t’u solidarizuar me popullin turk dhe objekti i qeverisë të ndriçohet me ngjyrat e flamurit turk”, ka thënë Damka.
Pasi ka përsëritur ngushëllimet, Kurti ka thënë se për ndriçimin e objektit të qeverisë e ka marrë iniciativën në mëngjes, ndërsa për mjetet ka thënë se do të flasë me ministrat se çfarë mund të bëhet më shumë.
“Unë sot qysh në mëngjes kam marrë iniciativë që ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndriçohet me pamjen e ngjyrat e flamurit të Turqisë e njëkohësisht edhe me ministrin Mehaj, me ministrin Sveçla dhe me ministrin Murati do të diskutojmë se çka mund të bëjmë shtesë për të ndihmuar njerëzit të cilët u goditën në mënyrë kaq tragjike e fatale nga ky tërmet i jashtëzakonshëm”, ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë.