Danezët sfidojnë Trampin: Doni Groenlandën? Na jepni Kaliforninë!

10 shkurt 2025 | 20:01

Danezët në këmbim të Grenlandës kërkojnë Kaliforninë. Në përgjigje të planit të presidentit amerikan Donald Trump për të blerë Grenlandën, një rajon autonom i Danimarkës, ka nisur një fushatë për ta bërë “Kaliforninë një territor danez”

Në përgjigje të planit të presidentit amerikan Donald Trump për të blerë Grenlandën, një rajon autonom i Danimarkës, ka nisur një fushatë për ta bërë “Kaliforninë një territor danez”, transmeton Anadolu.

Lidhur me këtë nga uebfaqja “Danimarkifikimi” (Denmarkification) është bërë një deklaratë lidhur me fushatën.

Në deklaratë thuhet se fushata synon blerjen e shtetit të Kalifornisë nga SHBA-ja dhe ta shndërrojë atë në territorin danez, në përgjigje të planit të Trumpit për të blerë Grenlandën.

Më tej thuhet se “Republikani Trump nuk e pëlqen Kaliforninë që është një nga bastionet e Demokratëve. Trump nuk mund të thuhet se është fansi më i madh i Kalifornisë. Jemi të sigurt që do të jeni të gatshëm ta jepni këtë vend për një çmim të arsyeshëm”.

Deklarata thekson se Trump mund të bëjë çfarëdo që ai vendos dhe se qytetarët “nuk mund ta ndalojnë” atë. “Nëse Trump dëshiron të shesë Kaliforninë, ai mund ta shesë atë”, thuhet në deklaratë.

Më tej deklarata iu referua çështjeve të diskutueshme në SHBA, duke pretenduar se sundimi i ligjit, kujdesi shëndetësor universal dhe politika e bazuar në fakte mund të mbizotërojnë në Kaliforni.

Deklarata rendit arsyet e zgjedhjes së Kalifornisë; si klima e saj e ngrohtë dhe me diell, dominimi teknologjik, prodhimi i avokados, liria dhe fakti që ajo ka Disneyland, një nga parqet argëtuese më të famshme në vend, dhe vuri në dukje se nëse shteti do të blihej, Disneyland do të riemërohej me emrin e autorit danez Hans Christian Andersenland.

“Ne madje do të japim furnizim të përjetshëm të pastave daneze për të ëmbëlsuar marrëveshjen”, thuhet në deklaratën, e cila deri më tani është nënshkruar nga rreth 200 mijë njerëz.

Deklaratat e Trumpit lidhur me Grenlandën

Ndryshe, në një postim në llogarinë e tij në Truth Social më 23 dhjetor 2024, Trump përsëriti se Grenlanda duhet të jetë nën kontrollin e SHBA-së, duke theksuar se pronësia mbi ishullin është “domosdoshmëri absolute”.

Trump, i cili herë pas here ka shfaqur interesin e tij për ishullin që kur mori detyrën më 20 janar, pretendon se të gjithë 57.000 banorët që jetojnë në Grenlandë janë të gatshëm t’i bashkohen SHBA-së.

Grenlanda, një nga dy rajonet autonome së bashku me Ishujt Faroe nën Mbretërinë e Danimarkës, ndodhet 2.900 kilometra larg Danimarkës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një majmun e la të gjithë Sri Lankën pa energji.…