Daniel Ricciardo rikthehet te Red Bulli, Mick Schumacher drejt Mercedesit
Piloti australian Daniel Ricciardo, një nga veteranët e Formulës 1, rikthehet te skuadra Red Bull. Ai do të jetë piloti i tretë i makinës kampione të botës për vitin 2023.
Lajmi është zyrtarizuar nga Red Bulli, që rikthen në radhët e saj pas katër vjetësh Ricciardo. “Është një kënaqësi të rikthesh Ricciardon në ekipin tonë. Ka mjaft talent dhe përvoja e tij është e rëndësishme për ne”, ka thënë Christian Horner, shefi i Red Bullit. Ndërsa vetë piloti shtoi: “Buzëqeshja ime tregon se sa i lumtur jam për këtë rikthim në familjen time”.
Ndërsa piloti i ri gjerman Mick Schumacher pritet të jetë piloti i tretë i Mercedesit. Lajmin e konfirmoi Toto Wolff, shefi i makinës gjermane, që ka thënë se djali i shtatë herë kampionit të botës është personi i përshtatshëm për këtë detyrë. “Ne e kemi për zemër Mick, pasi edhe babai i tij ka qenë pjesë e familjes sonë. Është i ri, inteligjent dhe dy sezonet me Haasin e kanë pjekur. Do të jetë e rëndësishme për të ardhmen e tij dhe tonën të punojmë së bashku nëse arrijmë marrëveshjen”, ka thënë Toto Wolff.