Danilo pas eliminimit nga Kupa e Amerikës: Duhet të jemi të durueshëm me lojtarët e rinj
Mbrojtësi i Brazilit, Danilo ka folur për mediat pas eliminimit me penallti nga Uruguai në çerekfinalen e Kupës së Amerikës.
“Është e vërtetë, ka kaluar shumë kohë që Brazili fitoi diçka, por duhet të keni durim me këta të rinj. Nuk po e them për veten time, nuk e di se sa do të luaj për ekipin kombëtar, por për mua ishte një nder i madh të isha me një grup të tillë, aty ku punohet shumë, ka profesionalizëm, përkushtim. Duhet durim me të rinj si Endrik, ata duhet të kenë mbështetje”.
Danilo më pas analizoi ecurinë e skuadrës: “Duhej të ishim më efektiv, kishim dy mundësi që mund t’i kishim shfrytëzuar më mirë. Është e vështirë për mua të flas tani, ne luftuam, luajtëm në kushte të barabarta dhe me cilësi, në mënyrën se si ne ishim përgatitur për ndeshjen. Më pas ndeshja shkoi në penallti, kjo skuadër e re tregoi se mund të bëjë gjëra të mëdha, shpresoj që tifozët të kenë pak durim”, përfundoi ai.