Danimarka do t’i trajnojë oficerët e burgjeve të Kosovës
Në gjysmën e parë të vitit 2025, sistemit të stërngarkuar të burgjeve daneze do t’i bashkohet një grup zyrtarësh të burgjeve nga Kosova.
20 deri në 25 oficerë të burgjeve të Kosovës do të marrin pjesë në një projekt pilot për trajnime të mëtejshme në Danimarkë si pjesë e marrëveshjes ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës për dhënien me qira të një burgu për 300 persona.
Këtë e konfirmon ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard për median daneze “Ritzau” në një përgjigje me shkrim.
“Me edukimin e vazhdueshëm, po hedhim një hap tjetër të rëndësishëm në punën që burgu në Kosovë të jetë gati për pranimin e kriminelëve të dënuar me dëbim nga Danimarka”, thotë Hummelgaard, transmeton Klankosova.
Nga përgjigja e ministrit nuk është e qartë se në cilin burg apo burgje do të punojnë oficerët e Kosovës.
Megjithatë, për zëdhënësen ligjore të Konservatorëve në Danimarkë, Mai Mercado, e cila në maj propozoi sjelljen e rojeve të burgut nga Kosova në Danimarkë, ka kuptim që do të jetë në burgun Ringe në Funen. Në këtë hapësirë vuajnë dënimin sot të dënuarit me dëbim.
Ajo thotë se nuk është një “situatë e dëshirueshme” që Danimarka të ketë tani oficerë burgjesh nga një vend tjetër.
“Ne do të dëshironim që të mund të rekrutojmë vetë rojet e burgut, por jemi thjesht në një situatë ku nuk mundemi”, tha Mercado.
Pas disa vitesh vonesë, Kosova ratifikoi marrëveshjen e burgjeve me Danimarkën në maj të këtij viti.
Hapi tjetër tani është rindërtimi i burgut të Gjilanit për kushtet daneze. Ministria e Drejtësisë e Danimarkës pret që të dëbuarit e parë të mund të fillojnë të vuajnë dënimin në burg në vjeshtën e vitit 2026.
Fillimisht, plani ishte që burgu të ishte gati për vuajtjen e dënimit në fillim të vitit 2023.
Ministri Hummelgaard u raportua se të mërkurën do të qëndrojë në Kosovë për të vizituar burgun e Gjilanit si dhe të takohet me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Me vizitën shënojmë se projekti, pas miratimit të traktatit në Kosovë, po hyn në një fazë të re dhe të rëndësishme”, tha ai.
“Në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Kosovës, tani duhet të përshpejtojmë rindërtimin e burgut në mënyrë që ai të jetë gati për të strehuar kriminelët e dënuar me dëbim nga Danimarka”, thotë Hummelgaard.