Danimarka nuk beson se do ketë valë të dytë të Covid-19
Gjermania është duke u përballur me rritje të shkallës së përhapjes së koronavirusit, pas lehtësimit të masave të izolimit, duke rritur shqetësimet se virusi mund të përhapet sërish në shtetet që u japin fund masave të izolimit.
Por, Danimarka, e cila ka qenë një prej vendeve të para evropiane që ka adoptuar masat e izolimit dhe një prej të parave që u ka dhënë atyre fund, mendon të kundërtën.
Nxënësit e shkollave fillore janë kthyer nëpër klasa më 15 prill dhe parukeritë janë rihapur vetëm disa ditë më vonë. Tani, ka filluar rihapja e restoranteve dhe qendrave tregtare.
Shefi i epidemiologjisë, Kare Molbak, deklaroi se edhe pas heqjes së të gjitha masave, shkalla e infektimit mbetet e vogël, ndaj nuk beson se do të ketë valë të dytë të koronavirusit.
“Asnjë shtet nuk është përballur me valë të dytë deri më tani. Disa shtete kanë parë rritje ose zvogëlim të rasteve të koronavirusit”, ka thënë ai.
“Mirëpo me njohuritë që kam tani, unë e shoh shumë pak të mundur ardhjen e valës së dytë”, shtoi Molbak.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, autoritetet daneze kanë regjistruar 10,789 të infektuar dhe 533 humbje jetësh nga koronavirusi.