Danimarkës po i vonohet burgu në Gjilan

30 janar 2025 | 12:21

Në shtator të vitit të kaluar, ministri danez i drejtësisë Peter Hummelgaard erdhi në Kosovë për të prezantuar projektin e tij prestigjioz.

Ai qëndroi në Gjilan krah për krah me ministren e Drejtësisë të Kosovës, ndërsa inspektonin burgun ku do të strehohen 300 kriminelë të dëbuar nga Danimarka, si pjesë e zgjidhjes së qeverisë për mungesën e hapësirës në burgjet daneze.

Por një dokument i ri për Komisionin e Çështjeve Ligjore, të cilin media daneze “Avisen Danmark” e disponon, tregon se projekti është shtyrë. “Mirëpo, ndërtimi dhe renovimi i burgut, i cili po kryhet nga Shërbimi Korrektues në Kosovë, aktualisht po përballet me vonesa”, thuhet në dokument, transmeton Klankosova.tv.
ShKK i ka konfirmuar gjithashtu “Avisen Danmark” se projekti nuk po shkon sipas planit.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës mund të konfirmojë se projekti i ndërtimit në Kosovë aktualisht po përballet me vonesa”, thuhet në njoftim. Që Danimarka të fillojë përdorimin e burgut, si ndërtesat ashtu edhe stafi duhet të përmbushin standardet daneze. Prandaj, qelitë duhet të rinovohen dhe të krijohen dhoma të reja për vizitorë.

Megjithatë, puna ndikohet nga disa probleme. ShKK ka thënë se ende nuk ka gjetur këshilltarët e nevojshëm teknikë të TI-së dhe sigurisë, si dhe është vonuar edhe rekrutimi i ekspertëve teknikë të ndërtimit.

Gazeta daneze thotë se për këto arsye, është e paqartë se kur mund të përdoret burgu.

Deri më tani, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kërkuar një afat të ri dhe po përpiqet të reduktojë vonesën duke vënë në dispozicion këshilltarët e vet.
Ministri i drejtësisë Hummelgaard tha se nuk është i befasuar nga vonesa. “Ne po shkelim një terren krejtësisht të ri duke dërguar të huaj kriminelë të dënuar me deportim në Kosovë”, tha Hummelgaard në një përgjigje me shkrim.

Megjithatë, ai thekson se projekti mbetet prioritet i lartë dhe se dialogu me qeverinë e Kosovës po vazhdon. /Klankosova.tv

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tri ditë më parë, gjatë një tubimi elektoral Donika Gërvalla,…