‘Danubi’ dhe ‘Sava’ – zbulohet identiteti i mercenarëve serbë që luftojnë për batalionin rus ‘Sudoplatov’ në Ukrainë
Dejan “Deki” Beriq është një shtetas i Serbisë i cili prej vitesh jeton në Rusi.
Që nga viti 2014, ai ka luftuar në Ukrainë në anën e separatistëve rusë. Tani ai paraqitet si koordinator i vullnetarëve që vijnë nga zona e ish-Jugosllavisë.
Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për njeriun i cili në mes të dhjetorit publikoi video të disa shtetasve serbë që po kryenin stërvitje ushtarake në kampet ruse.
“Koha e stërvitjes ka përfunduar. Ka ardhur koha për të provuar veten në betejë…”, citohet të ketë thënë Beriq.
Pak më vonë është publikuar edhe një video ku shihen të njëjtët ushtarë në një mjet tjetër ushtarak.
Andrei Rodionov, një shtetas rus i njohur me pseudonimin “Vikingu”, flet në video. Ai drejton një lëvizje, e cila, sipas faqes së tij të internetit, kundërshton “globalizmin perëndimor, materializmin dhe multikulturalizmin”.
Radionov në përshkrimin e videos thekson se regjistrimi është bërë më 1 mars dhe se në video janë “Sava” dhe “Danubi”.
Dhe siç vënë në pah mediet e huaja, bëhet fjalë për dy persona të cilët që nga dhjetori i vitit të kaluar janë paraqitur nga televizionet dhe mediet ruse si vullnetarë nga Serbia.
Portali mjaft i besueshëm ukrainas Obozrevatel shkruan se serbët Milan Luçiq dhe Jovan Bjelotomiq fshihen pas nofkave “Danub” dhe “Sava”, të cilët po luftojnë në Ukrainë si pjesëtar të njësisë ruse “Sudoplatov”.
Sipas bazës së të dhënave të Interpolit, Jovan Bjelotomiq ka lindur në vitin 1996 në Bijeljinë dhe ka nënshtetësi të Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë.
Ndërsa, Milan Luçiq, siç shkruanin mediat dy vjet më parë, kërkohej nga Republika Çeke me dyshimin se ishte anëtar i një grupi të organizuar kriminal të lidhur me drogën ose dhunën.
Batalioni “Sudoplatov” u themelua në shtator të vitit 2022 si një njësi vullnetare pro-ruse që vepron në jug të Ukrainës në territorin e Zaporozhye, i cili aktualisht është nën pushtimin rus.
Emri i batalionit vjen nga Pavlo Sudoplatov, një ish-anëtar i shërbimeve inteligjente të Bashkimit Sovjetik gjatë sundimit të Joseph Stalinit, i cili mori pjesë në likuidimet e nacionalistëve ukrainas në fund të viteve 1930.
Njësia u themelua me iniciativën e Yevgeny Balitskyt, kreut të rajonit ukrainas Zaporozhye. Për vite Balicki ishte anëtar i partisë pro-ruse Partia e Rajoneve, e cila mbronte të drejtat e pakicës ruse në Ukrainë. Në shtator 2022, Balitsky iu bashkua Rusisë së Bashkuar, partisë së presidentit rus Vladimir Putin.
“Tu su naša braća Srbi”, govori Andrej Radionov, jedan od pripadnika ruskih oružanih snaga iz odjeljenja “Rusov” koje je sastavni dio bataljona “Sudoplatov”. Snimak je nastao 1. marta ove godine na ukrajinskom ratištu. Na snimku se vide osobe koje podižu tri prsta pic.twitter.com/kPq0JnGvEF
— Istraga.ba (@IstragaB) March 5, 2023
Ardhja e dy mercenarëve nga Serbia në batalionin “Sudoplatov” u publikua në kanalin Telegram të grupit më 13 janar. Në atë njoftim thuhet se “dy serbë me emrat e koduar ‘Danubi’ dhe ‘Sava’” iu bashkuan batalionit në fillim të vitit 2023. Të dy janë, siç u tha, “patriotë dhe rusofilë serbë” të cilët erdhën në lindje të Ukrainës, pavarësisht se legjislacioni serb ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në fushat e huaja të betejës.